Shtyhet miratimi i amnistisë për 447 të burgosur, pritet përgjigjja nga Komisioni Europian
Miratimi i amnistisë, e cila përfshin 447 të burgosur, do të duhet të presë një vendim nga Brukseli.
Amnistia, e miratuar nga qeveria në dhjetor, ishte parashikuar të diskutohej në komisionet parlamentare gjatë muajit prill. Megjithatë, duket se kjo nuk do të ndodhë.
Burime qeveritare i thanë Top Channel se shtyrja e diskutimit të amnistisë vjen si pasojë e pritjes së një përgjigje nga Komisioni Europian.
“Jemi në pritje të përgjigjes nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) në Komisionin Europian për draft-ligjin e amnistisë, njësoj siç po veprohet me projektligjet e tjera, të cilat para diskutimit në parlament duhet të marrin miratimin e Brukselit,” theksoi një burim qeveritar, pas interesimit të Top Channel lidhur me vonesën në diskutimin e amnistisë në parlament.
Përveç 447 të burgosurve që do të përfitojnë nga kjo amnisti, ulje dënimi do të ketë edhe për 853 të burgosur të tjerë.
Ndërkohë, nga Shërbimi i Provës, 5,077 të dënuar me masa alternative do të amnistohen.
Projektligji i amnistisë parashikon gjithashtu që, duke filluar nga viti 2024, të pushohet ndjekja penale për plot 14,000 procedime për vepra të lehta.
