Asllani: Beshiktashi ofron pak, Inter vendos

Ish-lojtari më i vlerësuar shqiptar, zbulohet shifra me ulje që Beshiktashi është gati të paguajë tek Interi për mesfushorin

E ardhmja e Kristjan Asllanit mbetet e pasigurt, pasi mesfushori nuk e ka të garantuar qëndrimin te Beshiktashi. Paraqitjet e tij te klubi turk, ku u huazua në janar, nuk kanë qenë brilante, duke shtuar zërat në Stamboll për një rikthim te Interi në verë.

Një arsye e fortë që Beshiktashi nuk do të zbatojë klauzolën për blerjen e kartonit të tij është se drejtuesit e konsiderojnë shumën prej 11 milionë eurosh, të caktuar nga Interi, shumë të lartë për mesfushorin. Mediat turke kanë raportuar prej kohësh se klubi synon të negociojë me italianët për të ulur këtë vlerë. Tani është mësuar shifra që ata e konsiderojnë të pranueshme për Asllanin.

Sipas “Skorer”, Beshiktashi do të blinte Asllanin nëse vlera e tij do të binte në 5-6 milionë euro, por nuk pranon të paguajë më shumë për lojtarin e Kombëtares shqiptare. Kjo situatë e vendos topin në fushën e Interit për ta zgjidhur.

Zikaltërit kanë tash përballë opsionin e një përfitimi të menjëhershëm nga largimi i Asllanit, i cili nuk bën pjesë në planet e klubit. Nga ana tjetër, ekziston rreziku i një uljeje të mëtejshme të vlerës së tij në rast të një huazimi tjetër në sezonin e ardhshëm.

Scroll to Top