Presidenti i Napolit kërkon ndryshime radikale në futboll: Kohëzgjatja e pjesëve, pushimet dhe kartonët në pikëpyetje
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka shprehur mendimin e tij për nevojën e transformimit të sportit të futbollit për të ruajtur dhe rritur angazhimin e audiencës, duke iu përshtatur kërkesave të gjeneratave të reja.
Në një intervistë për “The Athletic”, De Laurentiis theksoi se futbolli po humbet gradualisht vëmendjen e brezave të rinj për shkak të kohëzgjatjes së tij. Ai shpjegoi se ndeshjet, me dy pjesë nga 45 minuta dhe pauza të gjata, mund të jenë të lodhshme për shikuesit më të rinj, të cilët kanë durim më të limituar për format tradicionalë të transmetimit.
“Vit pas viti, futbolli do të humbasë brezat e rinj. Ndeshjet janë shumë të gjata, pauzat janë shumë të gjata. Ky është një problem, sepse brezat e rinj nuk kanë durimin për të parë një ndeshje kaq të ngadaltë në TV,” tha ai, duke ilustruar me shembullin e nipit të tij gjashtëvjeçar, i cili, pavarësisht interesit për lojërat dixhitale si PlayStation, humbet vëmendjen gjatë një ndeshjeje futbolli tradicionale.
Presidenti i Napolit propozon një format të ri ku pjesët e lojës të shkurtohen nga 45 në 25 minuta secila. Ai gjithashtu sugjeron futjen e “kohës efektive”, njëjtë si në basketboll, ku loja ndërpritet kur topi nuk është në lojë. Kjo do të pengojë lojtarët të humbin kohë dhe të luajnë role “aktori” në fushë.
Një ndryshim tjetër radikal i propozuar nga De Laurentiis ka të bëjë me sistemin e kartonëve. Ai sugjeron heqjen dorë nga kartonët e verdhë dhe të kuq siç njihen aktualisht. Në vend të tyre, ai propozon ndëshkime me kohë: një lojtar i ndëshkuar me karton të verdhë do të largohej nga fusha për 5 minuta, ndërsa ai me karton të kuq për 20 minuta. Kjo masë, sipas tij, do të krijonte sfida më konkrete për ekipet gjatë ndeshjes.
Për më tepër, De Laurentiis ngre shqetësimin për numrin e ulët të golave, duke theksuar se ky aspekt redukton spektaklin. Ai mendon se shënimi i më shumë golave është thelbësor për tërheqjen e audiencës dhe për këtë arsye duhen ndryshuar rregullat ekzistuese.
