**Berisha: Rama, Balluku, Balla po përpiqen të marrin aeroportin nga Pacolli, rrezikojmë 500 milionë euro**
Gjatë një takimi me fermerët në Berat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar situatën e ngërçit në aeroportin e Vlorës, duke e cilësuar si një aferë korruptive të tmerrshme. Sipas Berishës, kryeministri Rama, ish-zv.kryeministrja Balluku dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, janë bashkuar për t’i marrë aeroportin biznesmenit Behgjet Pacolli. Ata, sipas tij, po e bëjnë këtë duke përdorur kompaninë me pakicën e aksioneve (2%) dhe duke shfrytëzuar sistemin gjyqësor.
Berisha ka deklaruar se aksionerët realë të aeroportit janë Rama, Balluku dhe Balla, dhe qëllimi i tyre është të përfitonin 10 milionë euro nga biletat, për të cilat shteti ka dalë garant. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se shqiptarët rrezikojnë të paguajnë rreth 500 milionë euro në arbitrazh.
“E marrin Pacollin, e ka shpjeguar në mënyrën më brilante. E marrin atë, e marrin edhe turkun e rastit që u duhej dhe Pacollin e nxjerrin këtu mbrapa, pazaret i bëjnë me turkun. Po. Në zyrë kjo. Lubia përsëri. E ka shpjeguar. Si përfundim, përfundon që aeroporti do jetë ky që është 130 milionë, por ju të dashur qytetarë do paguani çdo vit këtij që do e mbajë aeroportin për 35 vite, do i paguani çdo vit nga 10 milionë euro bileta të munguara. Ndiqeni se këtu bëhet beteja tani. Çfarë do jetë nën 600 mijë pasagjerë në vit, do i paguajë arka e shtetit. Tani këtu është e gjithë puna. Del një thotë e kapen me aksionet, jo janë kaq të miat, jo janë kaq të tuat. E gjithë puna është absolutisht se Edi Rama, Lubi Balluku, Taulant Balla janë aksionerë për të marrë çdo vit 10 milionëshin e biletave të munguara. Gjë e turpshme, gjë kriminale. Gjë e pabesueshme. Po sa janë këto? Janë 130 milionë. Tani e marrin Pacollin, ia mbyllin hyrjen në aeroport dhe i thonë që nuk ke punë më ti. Ia marrin me gjykatë tani. Me urdhër gjykate. Dhe ky do shkojë në arbitrazh dhe ne mund të gjobitemi si rezultat i këtij akti edhe 300, edhe 400, edhe 500 milionë euro pa asnjë hezitim nga arbitrazhi. Pra, këta janë,” u shpreh Berisha.
Pak ditë më parë, në një intervistë, presidenti i MABCO-s, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me kryeministrin që nga gushti i vitit të kaluar, kur ka tentuar të shpjegojë problematikën. “Shpresoj shumë që kryeministri informohet. Unë nuk kam asnjë tagër t’i shkruaj. Në takimin e gushtit ia kam thënë ku qëndron problemi,” u shpreh ai.
Situata në kantierin e aeroportit të Vlorës është përshkallëzuar edhe më tej në ditët e fundit, ku administrata e kontrolluar nga 2% e Valon Ademit ka ndaluar hyrjen jo vetëm për specialistët e huaj, por edhe për drejtuesit teknikë dhe inxhinierët e MABCO, duke shkuar deri në paralajmërime për ndërprerje kontrate. Kjo nuk do të ishte e mundur pa një klimë favorizuese të pushtetit, pa një seri vendimesh gjyqësore që kanë përmbysur peshën reale të investitorëve dhe pa një lloj bashkëpunimi okult me interesa korruptive, që i ka dhënë Valon Ademit luksin të përshkallëzojë veprimet arbitrate në kantier, edhe pse në letër përfaqëson vetëm 2% të kompanisë Vlora International Airport.
