Call Center-at mashtrues dëmtojnë imazhin e Shqipërisë

Braçe: Call Center-at mashtrues dëmtojnë imazhin e vendit

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me hetimet ndaj aktiviteteve të call center-ave mashtrues në Shqipëri, pas aksionit të fundit të autoriteteve ndaj një rrjeti të tillë disa ditë më parë.

Në fjalën e tij, Braçe theksoi se ky fenomen nuk është i ri, duke u shprehur se: “Aktiviteti i call center-ave apo atyre të tregut valutor (Forex) në vendin tonë është një aktivitet i hershëm. Pikërisht për këtë arsye, në Komisionin e Ekonomisë jam detyruar të kërkoj shpjegime nga autoritetet, veçanërisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Policia e Shtetit.”

Ai bëri të ditur se vetëm dy muaj më parë ka kërkuar një angazhim më të gjerë institucional: “Kam kërkuar të zhvillohet një seancë e përbashkët që të përfshijë AMF, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Policinë e Shtetit dhe Sektorin e Krimit Kibernetik, me qëllim goditjen e këtij fenomeni në territorin e Shqipërisë.”

Sipas deputetit socialist, ky aktivitet ka qenë në vëmendjen e institucioneve shqiptare, por ai theksoi qartë se përgjegjësia nuk është shtetërore: “E them me plot bindje se ky nuk është krim shtetëror, por veprimtari e individëve që mashtrojnë qytetarët evropianë nga territori i Shqipërisë.”

Braçe kërkoi një reagim më të fortë nga agjencitë ligjzbatuese, duke nënvizuar ndikimin negativ që këto aktivitete kanë në imazhin e vendit: “Ajo që duhet kërkuar me forcë është që agjencitë ligjzbatuese të merren me këtë fenomen dhe ta godasin, sepse ai turpëron dhe dëmton imazhin e Shqipërisë në raport me qytetarët e Bashkimit Evropian, të cilët kanë treguar bujari ndaj këtij vendi që nga viti 1991.”

Në fund, ai kritikoi edhe mënyrën se si trajtohen publikisht këto ngjarje: “Mënyra si paraqiten ngjarjet këtu është edhe abuzive, si histori e denjë për Hollivudin, që ka bërë filma për këtë fenomen. Unë nuk kam ndërmend të merrem me filma. Në këtë sallë do merrem me faktet nga fillimi në fund.”

Scroll to Top