“`html
Arsimi i të rriturve në Shqipëri: Vetëm 1.6% pjesëmarrje, larg objektivit prej 47% të BE-së
Shqipëria po rezulton e paaftë për të përmbushur angazhimet e saj për rritjen e aftësive arsimore te personat në moshë 25-64 vjeç. Në vitin 2024, vetëm 1.6% e kësaj grup-moshe morën pjesë në programe trajnimi dhe aftësimi, një shifër dukshëm më e ulët se objektivi prej 47% i Bashkimit Evropian për vitin 2025.
Kjo situatë në arsimin e të rriturve në vendin tonë u bë e ditur në raportin e fundit të Fondacionit Evropian të Trajnimit (ETF) për vitin 2026. Raporti evidentoi një sërë mangësish që pengojnë zhvillimin e kapitalit njerëzor. Edhe pse kuadri strategjik është pasuruar me dokumente si Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2023–2030, zbatimi i tyre përballet me pengesa të shumta.
Aktualisht, Shqipëria nuk disponon një ligj të dedikuar për arsimin e të rriturve. Kjo mungesë çon në fragmentimin e përgjegjësive mes ministrive dhe institucioneve, duke sjellë vonesa në koordinimin e politikave kombëtare, siç vuri në dukje ETF.
Një nga pikat më kritike mbetet shkalla jashtëzakonisht e ulët e pjesëmarrjes së të rriturve në proceset mësimore. Shifra prej 1.6% tregon një distancë alarmante nga mesatarja dhe objektivat e Bashkimit Evropian.
Sipas raportit, kjo mospjesëmarrje vjen si pasojë e:
- Mungesës së një kulture të mirëfilltë për mësimin gjatë gjithë jetës.
- Barrierave financiare.
- Kohës së kufizuar të individëve në moshë pune.
Po aq shqetësuese janë edhe aftësitë dixhitale. Mbi 50% e popullsisë së rritur nuk zotëron njohuritë minimale teknologjike. Kjo mangësi e lë forcën e punës të papërgatitur për sfidat e ekonomisë moderne dhe automatizimin e proceseve.
Sistemi i arsimit profesional, ndonëse në qendër të reformave, vuan nga një shpërndarje e pabarabartë gjeografike. Qendrat e trajnimit janë të përqendruara pothuajse tërësisht në Tiranë dhe Durrës. Ky organizim, sipas ETF-së, lë jashtë vëmendjes zonat rurale dhe qytetet e vogla, ku papunësia është shpesh më e lartë dhe mundësitë për riaftësim janë pothuajse inekzistente.
Më tej, infrastruktura aktuale e trajnimeve është e vjetëruar dhe nuk u përgjigjet kërkesave specifike të industrive në rritje, siç janë energjia e gjelbër apo shërbimet e avancuara të TI-së. Kjo krijon një hendek të madh mes asaj që ofrohet dhe asaj që kërkon tregu.
Në aspektin financiar, sistemi është i paqëndrueshëm dhe i varur në masë të madhe nga financimet e huaja dhe projektet e donatorëve, pa pasur një linjë buxhetore të konsoliduar shtetërore që garanton vazhdimësinë.
ETF referon se Bashkitë, megjithëse kanë përgjegjësi për arsimin në nivel lokal, rrallëherë akordojnë fonde specifike për arsimin e të rriturve, duke e lënë këtë sektor në periferi të prioriteteve lokale.
Gjithashtu, ka shumë mangësi për certifikimin e aftësive të fituara në rrugë informale, çka penalizon punëtorët me përvojë që nuk posedojnë diploma.
Emigracioni i vazhdueshëm i moshave të reja dhe plakja progresive e popullsisë krijojnë një presion të dyfishtë për mësimin gjatë gjithë jetës. Nga njëra anë ikja e trurit dhe nga ana tjetër nevoja për të mbajtur në punë moshat e vjetra përmes riaftësimit. Megjithatë, programet aktuale nuk janë të adaptuara për nevojat specifike të të moshuarve apo grupeve të margjinalizuara, të cilët përballen me barriera shtesë në akses.
ETF vë në dukje se sistemi i monitorimit dhe vlerësimit të cilësisë është gjithashtu i dobët, me të dhëna të fragmentuara që nuk lejojnë një analizë të mirëfilltë të impaktit të trajnimeve në punësim.
Sipas ETF-së, mungesa e stimujve fiskalë për bizneset që investojnë në trajnimin e punonjësve të tyre është një tjetër mangësi që dekurajon sektorin privat të bëhet pjesë aktive e zgjidhjes.
Pa një ndërhyrje radikale që përfshin unifikimin e bazës ligjore, rritjen e investimeve publike, digjitalizimin e kurrikulave dhe shtrirjen e shërbimeve të orientimit në karrierë në çdo bashki, Shqipëria rrezikon të mbetet me një forcë pune të pakualifikuar, thekson analiza e ETF. Kjo jo vetëm që ngadalëson rritjen ekonomike, por vë në pikëpyetje edhe aftësinë e vendit për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, të cilat bazohen pikërisht te dija dhe aftësitë.
“`
