Një dëmtim mund të ndryshojë fatin e Kristjan Asllanit! Trajneri i beson një detyrë të re
E ardhmja e Kristjan Asllanit mund të ketë marrë një kthesë tjetër për shkak të një dëmtimi. Mesfushori po dilte pak nga pak jashtë planeve të Beshiktashit, duke zbehur ndjeshëm mundësinë e transferimit përfundimtar në klubin turk. Megjithatë, situata e Kartal Jillmaz mund të ndryshojë gjithçka tani.
Mesfushori turk ishte një pikë fikse në formacionin e Beshiktashit, ndërsa Asllani kishte përfunduar në stol në ndeshjen e fundit dhe nuk pritej që të ishte protagonist nga fillimi as në vijim.
Por, Jillmaz ka pësuar një dëmtim të rëndë, duke mbyllur sezonin. Kjo ka detyruar trajnerin Sergen Jallçin që të kthejë sërish sytë nga Asllani. Mediat turke bëjnë të ditur se ai do të rishfaqë Asllanin në mesfushën e ekipit të tij në vijim, por me një rol të ri.
Asllani do të jetë ndërlidhës mes mbrojtjes dhe sulmit, si një organizator nga thellësia. Kjo është një detyrë për të cilën Interi e mbajti si zëvendësues të Çalhanollu këto vite.
Nëse Asllani ia del të shkëlqejë në ndeshjet e ardhshme në këtë rol, shanset e tij për të qëndruar te Beshiktash do të rriten. Kështu, ndoshta e gjithë rrjedha e karrierës mund të marrë një drejtim të ndryshëm nga ai që po shkonte, drejt një sezoni për t’u harruar.
