Balla padit Berishën për shpifje në Gjykatën e Posaçme

Taulant Balla padit Sali Berishën për shpifje

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka paraqitur një padi për shpifje kundër kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Padia vjen si pasojë e akuzave të Berishës, i cili pretendon se Balla ka ndërhyrë për lirimin nga burgu të Mario Çelës, vëllait të Suel Çelës.

Balla pretendon se veprimi i Berishës përbën veprën penale të “Shpifjes së kryer botërisht” dhe “Fyerjes”. Çështja është regjistruar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme.

Një ditë më parë, kreu i PD-së publikoi një mesazh, të cilin pretendon se e ka marrë nga një “qytetar dixhital”. Sipas mesazhit, thuhet se “Balla ka nxjerrë nga burgu i Peqinit vrasësin e rrezikshëm Mario Çela dhe e ka dërguar në një dhomë urgjence në spitalin e Elbasanit”.

Në denoncimin e tij të publikuar, Berisha shkruante: “Taulant Bego Jaris nxjerr nga burgu i Peqinit Mario Çelën! Të dashur miq, Taulant Balla ka nxjerrë dje nga burgu i Peqinit vrasësin e rrezikshëm Mario Çela dhe e ka dërguar në një dhomë urgjence në spitalin e Elbasanit. Sqaroj publikun se Mario Çela ndër të tjera është personi me të cilin Taulant Balla është i regjistruar në bisedë telefonike për angazhimin e kartelit të drogës Çelaj të Elbasanit përkundrejt arrestimit nga policia të bandës rivale të kartelit Çelaj, gjë që ndodhi në përputhje me marrëveshjen.”

Scroll to Top