Plagosja e trefishtë në Bulqizë, dy policë pezullohen nga detyra për shpërdorim
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nëpërmjet rajonit të Kukës-Dibrës, ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër. Urdhri parashikonte caktimin e masave të sigurimit personal ndaj dy punonjësve të policisë, të cilët janë nën hetim për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’.
Personat nën hetim janë dy inspektorë me inicialet D. S. Njëri prej tyre shërbente në Trupën e Shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, ndërsa tjetri në Trupën e Shërbimit të Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, të dy në varësi të DVP Dibër.
Me vendim të organit të akuzës, ndaj tyre janë caktuar masat e sigurimit ‘pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’. Këto masa janë parashikuar nga nenet përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.
Hetimi ka nisur pas një ngjarjeje të ndodhur më 10 mars 2026 në qytetin e Bulqizë, ku tre shtetas mbetën të plagosur rëndë. Sipas të dhënave paraprake të hetimeve, dyshohet se dy punonjësit e policisë nuk kanë përmbushur detyrimet funksionale në zbatim të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’, duke sjellë kështu pasoja të rënda.
Veprimet hetimore vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar çdo person tjetër të mundshëm të përfshirë.
Ngjarja për të cilën akuzohen efektivët e policisë ka ndodhur në një lokal. Aty është zhvilluar një konflikt me thika mes dy grupesh, ku si pasojë mbetën të plagosur tre persona.
