PAMJE/ Rama takon Melonin, protestë në Romë
Kreu i partisë italiane opozitare “+Europa”, Riccardo Maggi, së bashku me mbështetësit e tij zhvilluan një protestë gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Romë.
Ndërsa Rama dhe Meloni zhvillonin takimin në “Palazzo Chigi”, Maggi ngriti shqetësimin për mosfunksionimin e qendrave të pritjes së emigrantëve në Gjadër dhe kostot e larta të tyre.
“Ne i pritëm ata kështu (Ramën dhe Melonin) duke u kujtuar se qendrat në Shqipëri nuk kanë funksionuar, nuk po funksionojnë dhe nuk do të funksionojnë. Arsyeja është e thjeshtë: ato janë të paligjshme. Por edhe fyerje për italianët: vendit tonë i mungojnë 680 milionë euro për të shmangur procedurat e shkeljes për tejkalime të deficitit, dhe kjo është pikërisht kostoja e shpërdorimit të madh të parave publike në “hot spot”-et elektorale të Melonit në Shqipëri. Një dështim i plotë”, u shpreh Maggi.
Nuk dihet se për çfarë kanë diskutuar Rama dhe Meloni lidhur me këtë çështje, pasi pas takimit nuk pati deklarata për mediat.
