Mbrojtja e Produkteve Bujqësore Shqiptare: Të Rejat nga 2023

Nga mjalti e gështenjat te fasulet me mish të thatë, produkte të regjistruara për mbrojtje

Numri i produkteve të regjistruara për mbrojtje, si pjesë e kategorive të parashikuara nga ligji, është shtuar edhe gjatë vitit të kaluar. Nga mjalti tek vaji i ullirit apo specialitetet tradicionale, disa emra janë raportuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si pjesë e procedurave të regjistrimit dhe njohjes ndërkombëtarisht.

Konkretisht, në raportin mbi realizimin e buxhetit të vitit të shkuar, thuhet se gjatë kësaj periudhe, struktura përgjegjëse pranë Ministrisë për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore ka zhvilluar shtatë takime. Këto takime kanë pasur për qëllim vlerësimin e aplikimeve për regjistrim me Tregues Gjeografik të Mbrojtur (TGJM) për produkte si:

  • “Mjalti i bedunicës Frashër” (Përmet, Gjirokastër)
  • “Gështenja e Pultit” (Shkodër)

Për këto produkte, është dërguar një mendim pozitiv pranë DPPI. Gjithashtu, janë lëshuar “Certifikata të Cilësisë” për dy produkte tashmë të regjistruara si TGJM:

  • “Molla e Dvoranit” (Korçë)
  • “Vaj ulliri Valmi, Elbasan”

Nga ana tjetër, ministria bën të ditur se janë vlerësuar dhe regjistruar dy receta si Specialitet Tradicional i Garantuar (STG):

  • “Fasule Lekbibaj me mish të thatë” (Tropojë, Kukës)
  • “Jufka Dibre me pulë” (Dibër)

Dy produkte shqiptare të regjistruara si Tregues Gjeografikë (GI) janë njohur edhe nga BE dhe vendet anëtare të WIPO-s:

  • “Vaj ulliri Valmi, Elbasan”
  • “Gështenja e Reçit”

Rritja e listës së produkteve që mbartin një nga këto kategori vlerësohet si pozitive për disa arsye. Së pari, këto janë produkte që garantojnë cilësi dhe për të cilat konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë më shumë. Gjithashtu, ato hapin rrugën për eksportin dhe i mbrojnë nga falsifikimet.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është lidhja me turizmin. Pjesa autentike e këtyre produkteve tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë dhe përfaqësojnë pikërisht këtë element. Kulinaria autentike merr vlerësime shumë të larta në përshtypjet e vizitorëve, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshme të agroturizmit, një nga segmentet kryesore të turizmit, vit pas viti.

Scroll to Top