Titulli: Hetimet nisin në Vlorë për zaptim toke në bregdet me kushëririn e një deputeteje
Pak ditë më parë, në emisionin “Piranjat” u publikua një skemë e zaptimit të hapësirave publike dhe zhvillimit të aktiviteteve pa leje në bregdetin e Vlorës, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucioneve dhe ndikimin politik në këto procese.
Në qendër të kësaj çështjeje është Aljon Çakërri, drejtor i Qendrës së Peshkimit në Vlorë. Sipas denoncimeve dhe verifikimeve në terren, ai rezulton i përfshirë në zhvillimin e një aktiviteti për mjete ujore në zonën e Triportit, në dëm të hapësirave të dedikuara për peshkatarët.
Aktiviteti rezulton i regjistruar në emër të Olsen Sherifajt, ortakut të Çakërrit. Megjithatë, sipas dëshmive në terren, është ky i fundit që shfaqet si personi që menaxhon realisht operacionin.
Pas publikimit të rastit në emisionin “Piranjat”, Policia e Vlorës ka nisur procedimin penal për shtetasin Olsen Sherifaj, 41 vjeç, banues në Vlorë. Ai dyshohet se ka vendosur pa leje inerte dhe goma automjetesh në det, në Triport, me qëllim ndërtimin e një moli.
Burime për “Piranjat” bëjnë me dije se Policia e Vlorës dhe IKMT kanë qenë në vendngjarje ku kanë verifikuar shkeljet e publikuara në emision.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. Sh., 41 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka vendosur pa leje inerte dhe goma automjetesh në det, në Triport, me qëllim ndërtimin e një moli.
