Zjarr në pallat pranë QSUT: Prokuroria pyet 5 fëmijë

Djegia e pallatit pranë QSUT/ Prokuroria e Tiranës merr në pyetje pesë fëmijë

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje pesë fëmijë lidhur me zjarrin e rënë në një kompleks pallatesh pranë “Farmacisë 10” në Tiranë. Sipas të dhënave, fëmijët hodhën mbeturina në një karrocë, e cila dyshohet të ketë qenë vatra fillestare e zjarrit, nga ku më pas flakët u përhapën dhe dogjën pallatin shumëkatësh.

Të miturit e identifikuar janë banorë të kompleksit dhe pyetja e tyre është kryer në prani të psikologëve dhe prindërve. Ata kanë deklaruar se nuk vepruan me paramendim, duke shtuar se kishin parë një objekt të djegshëm pranë mbeturinave në karrocë, e cila gjendej pranë një kondicioneri.

Ndërkohë, burime konfirmojnë se prokurori i çështjes ka urdhëruar policinë të kryejë veprime të tjera në vendngjarje, si dhe të marrë në pyetje shtetas të tjerë.

Burimet shtojnë se ende nuk ka përfunduar akt-ekspertimi shkencor. Referuar policisë, e cila kishte arrestuar katër shtetasit Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna, ata dyshohen se kanë shkelur rregullat për mbrojtjen nga zjarri. Për këta katër të dyshuar, gjykata penale ka vendosur masën e detyrimit për t’u paraqitur.

Scroll to Top