Rritje çmimi naftë, arrin 206 lekë/litër

Transparenca rrit sërish çmimin e naftës, arrin në 206 lekë për litër

Bordi i Transparencës ka vendosur të rrisë sërish çmimin e naftës për të dytën herë radhazi. Çmimi i shitjes me pakicë do të jetë 206 lekë për litër, krahasuar me 202 lekë që ishte më parë.

Ky vendim vjen në një kohë kur çmimet e naftës në bursa janë rritur sërish mbi 100 dollarë për fuçi, si pasojë e dështimeve të vazhdueshme për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Sipas njoftimit zyrtar, Bordi i Transparencës, në mbledhjen e mbajtur më datë 25 Prill 2026, vendosi si më poshtë:

  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil, sipas standardit SSH EN 590, të jetë jo më shumë se 206 lekë/litri, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë të mos kalojë 194 lekë/litër.
  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë, sipas standardit SSH EN, të jetë jo më shumë se 181 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë të mos kalojë 169 lekë/litër.

Këto çmime të caktuara do të hyjnë në fuqi sot, më datë 26 prill, në orën 14:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi tërheq vëmendjen e të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Shkeljet e konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të rezultojnë me pezullimin e aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

Sqarim shtesë:

Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, parashikohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litri, ose për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës.

Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet aktuale janë nën kufirin e parashikuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3.4.2026. Për këtë arsye, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, pra 100%.

Scroll to Top