Berisha: Dosja Balluku është dosja Rama, akuzon Ramën për krime

Dosja Balluku është dosja Rama, pretendon Berisha, duke akuzuar kryeministrin se ka përdorur mandatet për të shpëtuar veten.

Gjatë një takimi me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka vazhduar akuzat ndaj qeverisë për lidhje me krimin dhe për vendimmarrje në shërbim të interesave personale.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se vendi po drejtohet nga një grup, sipas tij, pa legjitimitet dhe i përfshirë në veprimtari të paligjshme, duke përmendur akuza për porositje vrasjesh ndaj personave të caktuar në pushtet.

Ai u ndal gjithashtu te çështja e Belinda Ballukut. Kryedemokrati theksoi se hetimet ndaj saj kanë lidhje direkte me kryeministrin Edi Rama. Sipas Berishës, ndërhyrjet në vendimmarrjen parlamentare janë bërë për të mbrojtur qeverinë dhe për të shmangur përgjegjësitë ligjore.

Gjatë deklaratës së tij, lideri demokrat kritikoi ashpër mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe proceset zgjedhore.

“Edi Rama përdori 83 mandatet e krimit për t’ia vënë çelësat asaj dege të pushtetit, pa të cilën nuk ka ndarje të pushteteve. Pa të cilën pushteti është në dorën e një njeriu. Edi Rama ndërmori këtë akt edhe pas protestave të fuqishme të opozitës. Edi Rama ndërmori këtë akt edhe pas paralajmërimeve të përsëritura të partnerëve kryesorë në procesin e integrimit. Ai mori një akt in extremis, sepse e kuptoi, e realizoi që dosja Balluku është dosja Rama. Njerëzit e lidhur me krimin, diktatorë të të gjitha ngjyrave janë të aftë të marrin çdo lloj vendimi për të shpëtuar lëkurën. Vendim që u ndërmor për të shpëtuar lëkurën e tij. Shqiptarët pyesin si ka mundësi që ndërmerret një akt i tillë nga parlamenti. U them qytetarëve shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre, se shqiptarët kanë në krye një bandë më të rrezikshme që ka pasur ndonjëherë. Ka një bandë vrasësish. Qytetarë që kanë porositur vrasje, bazuar në dëshmi në sallat e gjyqeve. Sot rilindas do të thotë kriminel dhe vetëm kriminelë. Ata që i shihni ju dhe rreshtohen në mënyrën më të turpshme pas vendimeve të Edi Ramës, janë njerëz të inkriminuar. Një grup kriminal i tillë është i aftë të marrë çdo vendim. Nuk ka asnjë rastësi në qëndrimet e tyre në parlament. Firmat e tyre janë firma krimi. Kjo është e faktuar përfundimisht. Votat dhe firmat janë ato që kanë vjedhur shqiptarët çdo ditë,” u shpreh Berisha.

Scroll to Top