FOTO/ Autor i sulmit në një event ku ndodhej Presidenti Trump, identifikohet personi i armatosur rëndë
Janë zbardhur informacione të reja lidhur me autorin e dyshuar të incidentit me armë që ndodhi gjatë një darke të gazetarëve në hotelin Hilton Washington, ku merrte pjesë edhe Presidenti amerikan, Donald Trump.
Sipas mediave amerikane, personi në fjalë është parë duke vrapuar drejt sallës ku po zhvillohej eventi, përpara se të ndalohej nga forcat e sigurisë. Ai është identifikuar si Cole Thomas Allen, 31 vjeç.
Autoritetet në Washington DC njoftojnë se i dyshuari aktualisht ndodhet në një spital lokal, ku po merr trajtim mjekësor dhe mbahet nën mbikëqyrjen e policisë. Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Todd Blanche, deklaroi se ndaj tij pritet të ngrihen akuza “shumë shpejt”.
Jeffery W. Carroll, shef i përkohshëm i Departamentit të Policisë Metropolitane, tha se i dyshuari ishte i pajisur me disa armë. “Ai ishte i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika”, tha ai.
Agjenti i Shërbimit Sekret që u plagos gjatë ndërhyrjes është transportuar në spital dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
