Aksident në segmentin rrugor Librazhd-Elbasan! Një shtetas i huaj ka humbur jetën, disa persona të plagosur.
Një aksident i rëndë trafiku është regjistruar në aksin kombëtar Librazhd–Elbasan, pranë zonës së Xibrakës. Ngjarja ka përfshirë përplasjen e disa automjeteve, rrethanat e sakta të së cilës janë ende nën hetim.
Sipas informacioneve të para, të paktën katër automjete janë përfshirë në këtë aksident. Si pasojë e përplasjes së fuqishme, disa persona kanë marrë lëndime dhe janë transportuar me urgjencë në spital për të marrë trajtimin mjekësor të nevojshëm.
Burime nga vendngjarja konfirmojnë se një shtetas i huaj ka ndërruar jetë. Aktualisht, forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës ndodhen në vendin e ngjarjes. Ato po punojnë për të sqaruar plotësisht shkaqet e aksidentit dhe për të rivendosur normalitetin në qarkullimin në këtë pjesë të rrugës.
