Afganistani dhe Pakistani shkëmbejnë sulme, tensionet mes dy vendeve rindizen
Përleshjet kufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit kanë shkaktuar viktima në të dyja anët, duke shënuar një përshkallëzim të ri të tensioneve, pavarësisht një armëpushimi të fundit.
Sipas një zyrtari lokal të cituar nga “TOLOnews”, të paktën tre persona humbën jetën dhe 45 të tjerë, mes tyre edhe fëmijë, u plagosën sot nga sulme me raketa të kryera nga Pakistani në provincën Kunar.
Nga ana pakistaneze, raportohet se tre civilë u plagosën nga të shtënat me armë zjarri. Një zëdhënës i forcave kufitare të Pakistanit e përshkroi incidentin në Uaziristanin Jugor si përplasjen më të rëndë që nga shpallja e armëpushimit më shumë se një muaj më parë.
Burime të “TOLOnews” raportojnë se forcat pakistaneze qëlluan dje për vdekje një fëmijë pranë pikës kufitare “Friendship Gate”, në kufirin Afganistan–Pakistan, afër qytetit afgan, Spin Boldak. Forcat talebane u përfshinë më pas në luftime me trupat pakistaneze në Spin Boldak, duke nxitur raundin e fundit të përplasjeve.
