Ambasada iraniane në Londër inkurajon qytetarët iranianë në Britani të regjistrohen në programin ‘Sakrifica e Jetës’
Ambasada iraniane në Londër ka publikuar një deklaratë ku u bën thirrje iranianëve që jetojnë në Britani të regjistrohen në një program zyrtar të “sakrificës së jetës”, duke ngritur shqetësime lidhur me sigurinë kombëtare.
Sipas një raporti të publikuar nga “Daily Mail”, zyrtarët e konsullatës iraniane kanë shpërndarë një mesazh ku inkurajojnë “bashkatdhetarët krenarë iranianë që jetojnë në Britani” të marrin pjesë në programin “Jan Fada”, një term që përkthehet si “sakrificë e jetës”.
Mesazhi i drejtohet “të gjithë fëmijëve të guximshëm dhe fisnikë të Iranit” që kanë “dëshirën për të mbrojtur atdheun”, duke i ftuar të shprehin interesin e tyre si një shenjë “solidariteti, besnikërie dhe zelli kombëtar”.
Përmbajtja e postimit, i cili u publikua në gjuhën persiane në kanalin zyrtar të ambasadës në platformën Telegram, është mjaft e qartë:
“Le të japim të gjithë, pa përjashtim, trupat tona për t’u sakrifikuar; sepse është më e preferueshme sesa t’ia dorëzojmë vendin tonë armikut”.
Programi “Jan Fada” është lançuar muajin e kaluar. Një zëdhënës i ambasadës ka deklaruar se programi “nuk promovon asnjë formë armiqësie”. Megjithatë, një iniciativë e ngjashme nga ambasada iraniane në Kanberra po hetohet tashmë nga autoritetet australiane, ndërsa ekspertë të sigurisë paralajmërojnë për rreziqe serioze.
Roger McMillan, ish-drejtor i sigurisë pranë rrjetit televiziv Iran International, ka shprehur shqetësimin e tij:
“Është mjaft shqetësuese që kjo po ndodh në tokën britanike. Ky është një përpjekje për të radikalizuar njerëz në internet, të cilët më pas mund të bindën të ndërmarrin veprime në mbështetje të Republikës Islamike brenda Mbretërisë së Bashkuar.”
Ai shtoi se kërcënimi është “i rëndësishëm për sigurinë dhe mënyrën tonë të jetesës”, pasi, sipas tij, “është një metodë për të identifikuar ata që mbështesin regjimin, jo për t’i kthyer ata në Iran, por për të vepruar brenda Mbretërisë së Bashkuar”. McMillan paralajmëroi se interesi i regjimit nuk kufizohet vetëm te qytetarët iranianë, por mund të shtrihet edhe te kushdo që mund të shërbejë si mbështetës.
“Ky është një përshkallëzim shumë shqetësues. Ata madje nuk po përpiqen të jenë diskret”, ka thënë ai.
Nga ana e saj, Dr. Nadeh Fala nga organizata Iraniane për të Drejtat e Njeriut dhe Aleatët, e ka quajtur këtë zhvillim një “thirrje zgjimi” për Mbretërinë e Bashkuar, duke i bërë thirrje qeverisë që ta caktojë zyrtarisht Korpusin e Gardës Revolucionare të Iranit si një organizatë terroriste.
Ai theksoi se IRGC “po përpiqet në mënyrë aktive të radikalizojë, rekrutojë dhe ushtrojë ndikim” brenda territorit britanik, duke shtuar:
“Kjo është plotësisht e papranueshme dhe thellësisht shqetësuese. Regjimi iranian tashmë ka synuar individë në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë – kjo është vetëm manifestimi më i fundit dhe më provokues i këtij aktiviteti”.
Postimi i ambasadës drejtonte palët e interesuara drejt faqes së internetit të Ministrisë së Jashtme iraniane, ku ata mund të regjistroheshin për programin përmes sistemit Mikhak. Ky është platforma zyrtare e shërbimeve konsullore, e përdorur për procedura të tilla si lëshimi i pasaportave, regjistrimi i martesave apo lindjeve dhe transaksionet e pasurive të paluajtshme.
Këto zhvillime po ndodhin në një mjedis tashmë të tensionuar, teksa autoritetet po hetojnë një lidhje të mundshme iraniane me një sulm ndaj ambulancave hebraike në Londër muajin e kaluar. Grupi islamist Harakat Ashab al-Yamin al-Islamia (HAYI), që dyshohet se ka lidhje me Teheranin, ka marrë përgjegjësinë për një sulm me zjarrvënie në një sinagogë në veri-perëndim të Londrës.
Kujtohet se kryeministri britanik, Keir Starmer, kohët e fundit u zotua të përfshijë Gardën Revolucionare në listën e organizatave terroriste, duke vendosur vendin në linjë me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, por legjislacioni përkatës nuk është miratuar ende.
Një zëdhënës i ambasadës iraniane në Londër argumentoi se “iranianët në mbarë botën kujdesen thellësisht për atdheun e tyre dhe mbrojtjen e integritetit të tij territorial”. Ai shtoi se platforma “Jan Fada” “u drejtohet atyre që dëshirojnë të mbështesin dhe mbrojnë vendin e tyre, pa promovuar asnjë formë armiqësie”.
Zëdhënësi vuri në dukje se “pretendimet e kundërta janë të pabazuara dhe rrjedhin nga gjykime të anshme pa kuptim të mjaftueshëm”.
