Koreja e Veriut: Rritje e ekzekutimeve, K-Pop si shkak

Të vdesësh nga një këngë! Ekzekutimet në Korenë e Veriut janë shtuar gjatë pandemisë, shkak muzika K-Pop dhe…

Një raport i ri nga “Transitional Justice Working Group” ngre shqetësimin për një rritje të konsiderueshme të ekzekutimeve në Korenë e Veriut gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Sipas të dhënave, nga janari 2020 deri në fund të vitit 2024, të paktën 153 persona janë ekzekutuar ose dënuar me vdekje, një shifër dukshëm më e lartë krahasuar me vetëm 44 raste në pesë vitet para pandemisë.

Raporti thekson se izolimi i vendit dhe forca e kontrollit shtetëror, pas mbylljes së kufijve në vitin 2020, kanë kontribuar në këtë rritje. Shumë nga veprat penale që kanë çuar në dënime me vdekje lidhen me:

  • Fenë
  • Bestytnitë
  • Përmbajtjet kulturore të huaja, duke përfshirë shikimin e dramave dhe dëgjimin e muzikës K-pop nga Koreja e Jugut.

Studiuesit vlerësojnë se regjimi i Kim Jong Un e konsideron kulturën pop jugkoreane si një kërcënim për ideologjinë shtetërore.

Raporti tregon se numri i ekzekutimeve kishte rënë ndjeshëm në periudhën 2015–2019, pjesërisht si pasojë e presionit ndërkombëtar pas një hetimi të mëparshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi shkeljet e të drejtave të njeriut. Megjithatë, viti 2020 shënoi të paktën 54 ekzekutime, ndërsa në vitin pasues u regjistruan 45 të tjerë. Kjo bie në kontrast të fortë me mesataren prej rreth pesë rastesh në vit në periudhën paraardhëse.

Sipas raportit, kulmi i ekzekutimeve u arrit në vitet e para të qeverisjes së Kim Jong Un, me mbi 80 persona të ekzekutuar në vitin 2013. Në total, 358 persona janë ekzekutuar midis viteve 2011 dhe 2024.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se mbi 70% e ekzekutimeve kanë qenë publike dhe shumica janë kryer me pushkatim. Organizata ka identifikuar 46 vende ekzekutimesh në të gjithë vendin, bazuar në dëshmitë e më shumë se 250 dezertorëve nga 51 qytete dhe rajone.

Raporti paralajmëron se ekziston rreziku i një rritjeje të mëtejshme të ekzekutimeve, pasi regjimi synon të forcojë kontrollin kulturor dhe ideologjik, si dhe të ruajë dominimin politik në vend.

Scroll to Top