Opozita kërkon interpelancë me ministrin Ferit Hoxha për deklarata fyese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Anëtarët e opozitës në Komisionin për Punët e Jashtme kanë kërkuar një seancë urgjente me ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha, pas publikimit të mesazheve ku ai pretendohet se iu është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me shprehjen “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”. Këto komente janë bërë në një grup komunikimi.
Fillimisht, Ministria e Jashtme e ka përgënjeshtruar lajmin, por më pas janë shfaqur pamje që tregojnë se ministri Hoxha e kishte fshirë mesazhin.
Letra e plotë e kërkesës drejtuar Komisionit të Jashtëm:
- “Ne, si një grup deputetësh anëtarë të Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, kërkojmë paraqitjen urgjente të Ministrit të Europës dhe Punëve të Jashtme, z. Ferit Hoxha, para këtij Komisioni. Kjo kërkesë bazohet në detyrimin kushtetues dhe ligjor të Kuvendit për kontrollin e veprimtarisë së pushtetit ekzekutiv.
- Bazuar në informacione të publikuara në media, ministri Hoxha ka shkaktuar, në mënyrë të përsëritur, dy incidente diplomatike të rënda që kërkojnë reagimin e menjëhershëm të këtij komisioni.
- Incidenti i parë: Në një komunikim me diplomatë të Republikës së Shqipërisë, ministri Hoxha ka udhëzuar që znj. Donika Gërvalla (Ministre e Drejtësisë dhe ish-Ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës) t’i pamundësohet çdo komunikim dhe vizitë me ministra të tjerë të Republikës së Shqipërisë. Një qëndrim i tillë përbën një akt të paprecedentë, cenim të drejtpërdrejtë të frymës së bashkëpunimit ndërshqiptar dhe dëmtim të marrëdhënieve ndërshtetërore Shqipëri-Kosovë, duke i shërbyer vetëm kundërshtarëve të interesave tona kombëtare në rajon dhe në arenën ndërkombëtare. Askush nuk e ka mohuar publikisht këtë fakt. Heshtja e ministrit përballë këtyre njoftimeve e bën atë përgjegjës për pasojat diplomatike, aq më keq kur këto qëndrime ministri ia transmeton drejtpërdrejt trupës sonë diplomatike, e cila vendoset nën presion politik për të vepruar në shkelje të betimit të diplomatit.
- Incidenti i dytë: Rreth tre ditë më parë, në një grup komunikimi me ambasadorët shqiptarë, ministri Hoxha ka përdorur shprehjen “idiotë” si një cilësim fyes për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Një gjuhë e tillë, e përdorur nga kreu i diplomacisë shqiptare për bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, është thellësisht fyese, në kundërshtim me çdo standard të komunikimit diplomatik, dhe dëshmon paaftësi të theksuar për të përfaqësuar interesat e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve atje, si dhe dëmton besimin që duhet të ketë trupa diplomatike shqiptare tek drejtuesi i tyre.
Në çdo vend evropian (mjedis që z. Hoxha e njeh mirë prej vitesh), ministri i Punëve të Jashtme do të ishte tërhequr menjëherë nga detyra pas dy incidenteve diplomatike të këtij niveli. Jo sepse nuk do të kishte mbështetje politike, por sepse dëmi i shkaktuar marrëdhënieve ndërshtetërore dhe interesit kombëtar do ta bënte të pamundur vijimin e mandatit të tij.
Përkundër pritshmërive që ministri Hoxha të sillte një standard tjetër komunikimi dhe një kulturë tjetër profesionale, në vend të ndërtimit të urave, ai ka shkaktuar fraktura diplomatike, si me institucionet e Kosovës dhe vetë ministren Gërvalla, ashtu edhe me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesit e tyre politikë. Helmimi i marrëdhënieve, veçanërisht në formën e udhëzimeve dhe qëndrimeve të shprehura para trupës diplomatike shqiptare, nuk mund të tolerohet. Është në kundërshtim të hapur me interesin shtetëror dhe kombëtar shqiptar.
Në mbështetje të këtyre fakteve, ne kërkojmë nga Komisioni Parlamentar për Europën dhe Politikën e Jashtme:
- Thirrjen e menjëhershme të ministrit Ferit Hoxha para komisionit, për të dhënë llogari për këto dy incidente.
- Kërkesën për një falje publike nga ministri:
- Drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për cilësimin fyes “idiotë”.
- Drejtuar ministres Donika Gërvalla dhe institucioneve të Kosovës për qëndrimin fyese dhe kufizues.
- Kërkesën për dorëheqjen e ministri Hoxha, duke qenë se dëmi diplomatik i shkaktuar e bën të pamundur vijimin me besueshmëri të funksionit të tij.
- Raportimin e konkluzioneve të kësaj procedure para Kuvendit, përfshirë vlerësimin nëse veprimet e ministrit përbëjnë shkelje të detyrës.
Nuk ka interes më të lartë kombëtar se ruajtja e marrëdhënieve strategjike me Kosovën dhe mbrojtja e të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ministri Hoxha, me fjalët dhe udhëzimet e tij, ka punuar kundër këtyre interesave. Ai nuk mund të vijojë më në këtë detyrë. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.
