Vrasje dyfishtë Lezhë: Makina e ekzekutorëve sekuestrohet

Vrasja e dyfishtë në Lezhë, sekuestrohet makina e ekzekutorëve të çiftit Mujeci

Vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 26 prill 2026, në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Policia ka gjetur dhe sekuestruar prova të rëndësishme, që pritet të ndihmojnë në dokumentimin ligjor të plotë të ngjarjes.

Në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit Besnik Kolndreu, është gjetur automjeti tip “Volkswagen Polo”, pa targa, i fshehur në hambar. Ky mjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët për kryerjen e krimit. Nga kontrolli në brendësi të mjetit janë sekuestruar dy gëzhoja model 56. Automjeti rezulton me xham të pasmë dhe pjesë anësore të dëmtuara.

Në të njëjtin ambient është konstatuar edhe një automjet tjetër identik, me targa të rregullta, në pronësi të shtetasit Besnik Kolndreu. Ky mjet dyshohet se është përdorur për të fshehur gjurmët e krimit. Gjithashtu, në oborrin e banesës janë gjetur dhe sekuestruar veshjet e përdorura nga autorët gjatë atentatit, si dhe një palë targa.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shtetasi Florin Mhillaj ka marrë automjetin, të cilin motra e tij e kishte marrë me qira në Rinas. Pasi i ka hequr targat, në bashkëpunim me një tjetër person të shpallur në kërkim, e ka përdorur për t’i prerë rrugën viktimave dhe për të qëlluar drejt tyre. Pas krimit, mjeti është fshehur në banesën e Besnik Kolndreu, i mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve.

Në vijim të veprimeve, Policia ka shpallur në kërkim shtetasin Besnik Kolndreu, 22 vjeç, banues në Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe babai i tij, N. K., 79 vjeç, për të njëjtën vepër penale.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive në terren për kapjen e autorëve të dyshuar dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top