Braçe mbështet Spiropalin: Kritika reale, PS ka nevojë për ndryshim

Debatet në PS, Erion Braçe mbështet ish-ministren e Jashtme: Të drejtë në qëndrimet e saj, edhe kryeministri e di

Deputeti socialist Erion Braçe ka shprehur mbështetje për ish-ministren e Jashtme Elisa Spiropali lidhur me situatën brenda Partisë Socialiste dhe mënyrën e qeverisjes. Braçe u shpreh se disa nga çështjet ngritur nga Spiropali janë të vlefshme dhe të drejta, duke shtuar se edhe kryeministri Edi Rama është në dijeni të tyre dhe se problemet duhet adresuar.

“Zonja Spiropali ka ngritur disa shqetësime që edhe janë reale dhe vlejnë, si për mua, ashtu edhe për të tjerë, dhe madje edhe për kryeministrin. Kur themi që Partinë Socialiste duhet ta rienergjizojmë, ta hapim më shumë dhe ta bëjmë më demokratike, në fakt, ne pranojmë një sërë problemesh që kërkojnë zgjidhje”, tha Braçe gjatë një interviste për Top Channel.

Ai shtoi se edhe kryeministri Rama e di se Spiropali ka të drejtë në disa nga kritikat e saj.

Kritikat e Spiropalit

Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka reaguar publikisht në Facebook pas raportimeve për një debat të fortë me kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS. Sipas informacioneve, Rama i kishte dhënë një paralajmërim të drejtpërdrejtë Spiropalit lidhur me qëndrimet e saj.

Pas këtyre zhvillimeve, Spiropali shkroi në Facebook: “Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndërrohen në spektakël ndëshkimor publik. Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi.”

Duke iu referuar paralajmërimit, ajo vijoi: “Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto.”

Spiropali theksoi se qëndrimet e saj nuk përbëjnë një sulm ndaj Partisë Socialiste, por një kritikë ndaj një modeli që, sipas saj, “në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste”. Ajo ngriti shqetësime për ndarjen mes partisë dhe shtetit, si dhe për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi.

“Pushteti nuk dobësohet nga kritika. Pushteti dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim,” deklaroi Spiropali, duke shtuar se mospajtimi në politikë nuk është thyerje e besnikërisë, por “forma më e lartë e saj”.

Në reagimin e saj, ajo kritikoi edhe atë që e cilësoi “automatizëm votash” dhe kërkesë për bindje të verbër, duke paralajmëruar se një parti ku mungon kundërshtimi nuk është e fortë, por “e heshtur”.

“Kur ndërgjegjja trajtohet si shkelje disipline vetëm sepse nuk dakordësohet me automatizmin e veprimeve, atëherë problemi nuk është mospajtimi, por modeli që e ngatërron bindjen me nënshtrimin,” nënvizoi ajo.

Spiropali e mbylli reagimin me një qëndrim të prerë: “Nëse nuk respektohet e drejta të flas, madje dhe të bërtas, kur familja ime politike fillon të ketë frikë nga fjala, nuk ka dilemë, zgjidhja është një: më përjashto.”

Scroll to Top