Kosova drejt zgjedhjeve të reja: Dështim në zgjedhjen e Presidentit

Kosova shkon sërish në zgjedhje të parakohshme.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë Presidentin e ri të vendit, pavarësisht afatit prej 34 ditësh të dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Ky dështim, çon vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.

Në minutat e fundit të këtij afati, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën.

“Kosova mund të ketë presidente të re, por për të pasur presidente të re duhet të ketë opozitë të re. Opozita është e vjetër, kjo opozitë mundet me sjellë ndonjë fytyrë të re por zanatin e karakterin e ka të vjetër. Prandaj janë edhe në rënie të lirë,” tha Kurti në Kuvend. “Janë duke rënë vazhdimisht, sa më shumë që bëhen zgjedhje aq më poshtë po shkojnë dhe asnjë mësim nuk po e nxjerrin.”

Pas përfundimit të afatit kushtetues, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pasi Kuvendi i Kosovës shpërndahet automatikisht, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Në orën 23:00, Kuvendi u mblodh për të katërtën herë brenda ditës. Kryetarja e Kuvendit, Albena Haxhiu, gjatë njoftimit për vazhdimin e seancës për zgjedhjen e kreut të Shtetit, tha se “po presin nëse deputetët po kthehen”. Ajo akuzoi opozitën për mungesë “vullneti” për zgjedhjen e Presidentit.

“Përkundër thirrjes që deputetët të jenë të pranishëm në seancë, siç po e shihni opozita, deputetët e PDK, LDK, AAK, Lista Serbe, Duda Balje…, nuk janë të pranishme as në përpjekjen e fundit për ta zgjedhë presidentin e vendit… Po presim nëse deputetët po kthehen,” tha Haxhiu.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Albin Kurtin të tërhiqej nga përpjekja e tij për ta zgjedhur Presidentin në stil “karate” dhe për të përmbysur rendin kushtetues. Çitaku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkroi se Kurti abuzoi me zyrën e presidentit.

“Po, edhe mbrëmë bëri aq sa mundi. Doli dhe abuzoi me zyrën e Presidentit. Albin, nga ajo sallë qytetarëve u drejtohet Presidentja apo Presidenti i zgjedhur. Jo Kryeministri dhe as kandidatja e shumicës,” shkroi ajo.

Çitaku theksoi më tej:

“Shfaqja e mbrëmshme e ilustroi qartë, me zë dhe figurë, se ju në fakt e shihni veten si autoritetin e vetëm në këtë vend: edhe President, edhe Kryeministër, edhe Ministër, edhe Kryeprokuror, edhe gjithçka tjetër. Një shfaqje e turpshme.”

Scroll to Top