Sulm me thikë pranë sinagoge në Londër, dy persona të plagosur
Një sulm me thikë është regjistruar këtë të mërkurë në Londër, ku dy shtetas britanikë me origjinë hebreje janë plagosur jashtë një sinagoge në zonën Golders Green, në veri të qytetit.
Sipas organizatës së emergjencave Shomrim, menjëherë pas ngjarjes është parë një person duke vrapuar në zonë me një thikë në dorë, çka ka rritur alarmimin e autoriteteve.
Ngjarja ka ndodhur rreth 300 metra larg një tjetër incidenti të rëndë të regjistruar muajin e kaluar, kur në të njëjtën zonë u raportua djegia e disa ambulancave, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në komunitet.
Autoritetet britanike konfirmuan arrestimin e të dyshuarit, fakt që u bë i ditur edhe nga kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan. Në vendngjarje janë vendosur postblloqe policore, ndërsa forca të shumta emergjence vijojnë të jenë të pranishme.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, e cilësoi sulmin si “jashtëzakonisht shqetësues” gjatë një deklarate në Parlament, duke theksuar se hetimet janë në zhvillim dhe se autoritetet po mbështeten plotësisht.
Fillimisht i trajtuar si një sulm i rëndë kriminal, rasti është riklasifikuar tashmë si akt terrorist. Hetimet po fokusohen edhe në mundësinë nëse komuniteti hebre ka qenë objektiv i qëllimshëm i sulmit.
Shefi i antiterrorizmit, Lawrence Taylor, deklaroi se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e sigurisë për të krijuar një panoramë të plotë të ngjarjes. Ai shtoi se forcat kundër terrorizmit janë mobilizuar në të gjithë vendin për të rritur sigurinë dhe për të ofruar mbështetje shtesë për komunitetet.
