## Salianji i drejtohet Berishës: Unë burgoset, ti përfiton nga regjimi i Ramës!
Ervin Salianji ka ngritur akuza të forta kundrejt Sali Berishës, pas deklaratave të këtij të fundit, ku ai e akuzoi se ishte përjashtuar nga gara për drejtimin e Partisë Demokratike nga Edi Rama. Në një mesazh të drejtpërdrejtë dhe me tone të forta, Salianji i kujton Berishës se ai nuk ka vuajtur kurrë burgim, duke e cilësuar këtë si provë të bashkëpunimit të tij me Edi Ramën.
“Nuk ke bërë asnjë ditë burg. Ndërkohë, i vetmi deputet dhe zyrtar i PD që ka vuajtur burg pa pasur asnjë ditë pushtet jam unë, me pëlqimin e regjimit Rama-Berisha,” shkruan Salianji.
Ai akuzon gjithashtu se Berisha ka marrë pagesa nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe biznesmeni në kërkim nga SPAK, Ergys Agasi.
“Me Ballukun ti Sali merr leje, licenca dhe tenderë, ndërsa unë bëj zhurmë. Prandaj nuk mund t’i publikosh dosjet e të dyve. Ti, Sali, për lekë shet edhe shpirtin,” shkruan Salianji.
Sipas Ervin Salianjit, i cili u përjashtua nga garat për kreun e PD-së, Berisha ka marrë garanci nga Rama se nuk do të ndiqet penalisht dhe mbahet peng për shkak të problemeve me drejtësinë.
“Sali ‘kolltuku’, plaku i lumtur në azilin e Ramës! Unë burgoset, ti Sali bën lek nga regjimi i Ramës! Ty Sali, të nxjerr Rama nga burgu se i duhesh. Mua më fut në burg Rama se e mund, por për mjerimin e azilit të Ramës që je kthyer, unë që burgosem ‘shitem’. Me Ballukun ti Sali merr leje, licenca e tenderë, por unë bëj zhurmë. O zoti fosil, Ballukun dhe Agasin nuk i bashkoi dot Rama, jo unë. I vetmi që i ke bashkuar në një formë je ti, sepse paguaje nga të dy, edhe nga Agasi, edhe nga Balluku. Prandaj nuk i nxjerr dot dosjet e të dyve. Publikoji të plota, frikacak. Ti Sali për lek shet edhe shpirtin. Nuk të mjaftojnë koncesionet, lejet, kullat, tenderat, minierat, hidrocentralet, parqet, bregdeti dhe malet që po i shqyen bashkë me Ramën; dhe për të përfituar këto, nuk ke asnjë merak të legenosesh! Sali ‘kolltuku’, ti sa herë flet, legenosesh; por të jesh kaq i ulët moralisht në moshën 82-vjeçare është gëzimi më i madh për çdo njeri që s’të do, mjafton të të shohë si je katandisur dhe merr ‘kënaqësinë’ e jetës. Tani, meqë legenosesh me burgun, unë nuk ia fal as Ramës dhe as ty 1 vit heqje lirie, as heqjen e mandatit dhe as ndalimin e kandidimit. Njësoj si Rama edhe ti: ai më ndaloi kandidimin për deputet, ti për kryetar. I vetmi njeri që është marrë në patronazh nga Rama je ti. Të ka parkuar në azil luksi e të jep ushqimin që do ti, paratë! Je me halle me drejtësinë dhe të mbajnë peng, prandaj nuk lejon garë. Nuk ke bërë asnjë ditë burg, ndërkohë që i vetmi deputet dhe zyrtar i PD që ka bërë burg pa pasur asnjë ditë pushtet jam unë, me dakordësinë e regjimit Rama-Berisha. Por ti njihesh si mosmirënjohës, që e ha fjalën dhe gjithçka që ke bërë vetë ia ngjit kundërshtarit. Të mban Rama në azil luksi, duke të dhënë garanci që ti nuk prekesh nga ligji; prandaj nuk lejon garë. Por do çmontohesh Sali, do çmontohesh si kambalec i Edi Ramës, do çmontohesh si segmenti i keqpërdorur dhe i blerë nga Edi Rama. Do ju çmontojmë të dyve, e ke marrë rrugën,” përfundon Salianji.
