Zbulohen prapaskenat: Real Madrid telefonoi Zidanin për të zgjidhur krizën në momentin kyç
Real Madrid po kalon një sezon të vështirë, ku fillimi i një cikli të ri me Xabi Alonson në drejtim është kthyer në një dështim. Në mes të krizës, Florentino Perez u përpoq të gjente një zgjidhje duke kontaktuar me Zinedin Zidanin.
Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, klubi i Real Madrid kishte kontaktuar me francezin në mesin e dhjetorit, duke i ofruar mundësinë për të marrë drejtimin e ekipit për një etapë të tretë. Edhe pse Alonso ishte ende në detyrë dhe drejtoi skuadrën edhe në Superkupën e Arabisë Saudite, fati i tij duket se ishte vendosur dhe klubi kishte nisur përgatitjet për pasardhësin.
Megjithatë, Zidani i kishte bërë të qartë drejtuesve të Real Madrid se kishte një akord paraprak për të marrë drejtimin e kombëtares së Francës pas Botërorit. Për këtë arsye, ai nuk mund të pranonte drejtimin e një klubi në atë moment. Pas kësaj, palët u përshëndetën dhe drejtuesit e klubit filluan të kërkonin një zgjidhje të brendshme, duke i besuar në fund skuadrën Arbeloas.
