Irani zgjeron sulmet me dronë; çmimet e naftës rriten

### Irani zgjeron sulmet me dronë, në shënjestër rafineritë e naftës në Oman dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Pas sulmeve të mëparshme drejt Dubait, Irani ka zgjeruar veprimet e tij duke synuar edhe Omanin, veçanërisht rafineritë strategjike të naftës. Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se katër dronë iranianë u nisën drejt territorit të tyre. Tre prej tyre u rrëzuan, ndërsa një tjetër ra në det, duke mos arritur të godasin asnjë objektiv.

Menjëherë pas këtij incidenti, u raportua për një “zjarr të madh” në uzinën e naftës Fujairah, pas një sulmi iranian me dronë. Sipas informacioneve, tre shtetas indianë u plagosën, por gjendja e tyre nuk paraqet shqetësim. Të hënën pasdite, alarme sigurie u aktivizuan tre herë në Dubai, duke u kërkuar banorëve të qëndronin në zona të mbrojtura.

Pas këtyre sulmeve, çmimet e naftës shënuan një rritje të re, veçanërisht në Oman, ku çmimi i naftës Brent kaloi 113 dollarë për fuçi.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe konfirmoi se “katër municione lëvizëse [dronë vetëvrasës] u zbuluan duke u nisur nga Irani drejt vendit. Tre prej tyre u kapën me sukses mbi ujërat territoriale, ndërsa i fundit ra në det”. Ministria shtoi se tingujt e dëgjuar në disa zona të vendit ishin rezultat i kapjes së kërcënimeve ajrore. Publiku u bëri thirrje të informohej nga burimet zyrtare dhe të respektonte masat e sigurisë.

Një sinjal për motivet e Teheranit u dha përmes një mesazhi enigmatik nga një zyrtar i lartë iranian, i cili deklaroi: “Mesazhi ka arritur në destinacionin e tij. Ne do t’u tregojmë shenja të tilla sa këmbët e tyre do të dridhen dhe harta e iluzioneve do të ndryshojë”.

Këto sulme vijnë vetëm disa orë pas nisjes së “Operacionit Liria”, një iniciativë e Donald Trump, e cila synon lirimin e anijeve të bllokuara në Gjirin Persik pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Irani, megjithatë, ka mohuar çdo përfshirje në këtë operacion.

Pas orës 17:00 të së hënës pasdite, mijëra qytetarë morën një alarm urgjent sigurie në telefonat celularë, duke paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm me raketa dhe duke u kërkuar të merrnin masa mbrojtëse. Mesazhi, i shfaqur në anglisht dhe arabisht, këshillonte qytetarët të kërkonin strehim në ndërtesën më të afërt të sigurt, të largoheshin nga dritaret dhe hapjet, dhe të prisnin udhëzime të mëtejshme nga autoritetet kompetente. Njoftimi, i cili mban firmën e Ministrisë së Brendshme (MPB), thekson natyrën parandaluese të masës në kontekstin e rritjes së gatishmërisë.

Scroll to Top