“`html
Besimi në ekonomi u përkeqësua në prill, duke u ndikuar nga konsumatorët dhe shërbimet
Treguesi që mat besimin e bizneseve dhe konsumatorëve pësoi një rënie gjatë muajit prill. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u ul me 1.5 pikë. Megjithatë, Banka Qendrore thekson se niveli aktual i tij qëndron 6.4 pikë mbi mesataren historike.
Rënia e besimit në prill u ndikua kryesisht nga ulja e besimit në sektorët e shërbimeve dhe tregtisë, si dhe nga rënia e besimit të konsumatorëve. Nga ana tjetër, besimi në sektorët e industrisë dhe të ndërtimit kontribuan në mënyrë pozitive në treguesin e përgjithshëm.
Industria: Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 1.5 pikë përqindje në prill, pasi kishte rënë me 2 pikë përqindje një muaj më parë. Niveli aktual i tij është rreth 8.5 pikë përqindje mbi mesataren historike. Kjo rritje u nxit nga vlerësimet më optimiste të bizneseve lidhur me prodhimin industrial dhe ecurinë e kontratave porositëse nga eksportet. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen, pas rritjes së theksuar në muajin paraprak, regjistruan një rënie të lehtë këtë muaj.
Ndërtimi: Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 4.9 pikë përqindje në prill. Aktualisht, niveli i tij është rreth 10.6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e treguesit u ndikua kryesisht nga përmirësimi i situatës së porosive aktuale. Komponenti tjetër, vlerësimet për aktivitetin aktual ndërtues, dha një kontribut të vogël rënës në indeks. Pritjet për çmimet në të ardhmen ishin pothuajse të njëjta me muajin e kaluar.
Shërbimet: Treguesi i besimit në shërbime u ul me 1.7 pikë përqindje këtë muaj. Aktualisht, niveli i tij qëndron rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren historike. Ecuria gjatë prillit u ndikua nga ulja e vlerësimit të bizneseve për nivelin e kërkesës dhe ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.
Tregtia: Treguesi i besimit në tregti u ul me 3.6 pikë përqindje në prill. Megjithatë, niveli i tij qëndron ndjeshëm mbi mesataren historike, me rreth 13.4 pikë përqindje. Rënia gjatë prillit u ndikua kryesisht nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të shitjeve. Pritjet për çmimet në të ardhmen vijuan të shënojnë rritje edhe këtë muaj.
Konsumatorët: Treguesi i besimit konsumator u ul me 3.2 pikë përqindje në prill, duke rënë rreth 4.5 pikë përqindje poshtë mesatares historike. Në këtë rënie ndikuan të katër komponentët përbërës: pritjet për gjendjen e tyre personale financiare, situatën ekonomike në të ardhmen, si dhe situata e blerjeve të mëdha, si ajo aktuale ashtu edhe pritjet.
“`
