Varfëria e familjeve me fëmijë në Shqipëri, dyfish më e lartë

44.5% e familjeve me fëmijë në Shqipëri në rrezik varfërie, dy herë më e lartë se mesatarja e BE

Gati 45% e familjeve shqiptare me fëmijë janë në rrezik varfërie. Këto familje përballen me privim të rëndë material dhe social, ose jetojnë në një familje me intensitet shumë të ulët pune. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat në raportin e fundit për rrezikun e varfërisë për familjet me fëmijë.

Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja europiane prej 22.1%. Eurostat përdor treguesin AROPE, i cili tregon përqindjen e popullsisë në rrezik varfërie ose përjashtimi social.

Në Shqipëri, 44.5% e familjeve me fëmijë në varësi:

  • Kanë të ardhura të barabarta me 60% të medianës kombëtare.
  • Nuk mund të përballojnë faturat, shpenzimet e papritura, pushimet apo ushqimin.
  • Jetojnë në një familje ku shumica e anëtarëve punojnë shumë pak.
  • Përballen me një kombinim të disa prej këtyre kushteve.

Për familjet pa fëmijë, kjo përqindje është 37%, gjithashtu shumë më e lartë se mesatarja e BE-së prej 19.8%.

Varfëria e familjeve shqiptare me fëmijë është më e lartë se në rajon:

  • Në Mal të Zi, 34.8% e familjeve me fëmijë janë në rrezik varfërie, duke u renditur e dyta në Europë pas Shqipërisë.
  • Në Serbi, vetëm 21.4% e familjeve me fëmijë janë në rrezik varfërie.
  • Maqedonia e Veriut ka 29% të familjeve me fëmijë në rrezik varfërie.

Mungojnë të dhënat për Kosovën dhe Bosnjën.

Sipas Eurostat:

  • Treguesi “në rrezik varfërie” mat përqindjen e personave që jetojnë me të ardhura më të ulëta se një prag i caktuar në vendin e tyre. Një person konsiderohet në rrezik varfërie nëse të ardhurat e tij të disponueshme (pas transfertave sociale) janë nën 60% të të ardhurave mediane kombëtare.
  • Norma e privimit të rëndë material dhe social (SMSD) mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë financiarisht disa nevoja bazë të jetesës. Një person konsiderohet në privim të rëndë material dhe social nëse nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 elementë bazë, si pagesa e faturave, shpenzimet e papritura, pushimet, ushqimi i rregullt, interneti apo pjesëmarrja në aktivitete sociale.
  • Personat që jetojnë në familje “me intensitet shumë të ulët pune” janë ata ku anëtarët në moshë pune kanë punuar 20% ose më pak të potencialit të tyre total të punës gjatë vitit.

Në nivel europian, Eurostat raporton se në vitin 2025, 22.1% e personave që jetonin në familje me fëmijë në varësi në BE ishin në rrezik varfërie ose përjashtimi social (AROPE), krahasuar me 19.8% të atyre që jetonin në familje pa fëmijë në varësi.

Norma AROPE për personat që jetonin në familje me fëmijë në varësi ishte më e larta në Spanjë (29.9%), Rumani (29.4%) dhe Bullgari (29.1%). Nivelet më të ulëta u regjistruan në Slloveni (10.4%), Holandë (11.7%) dhe Qipro (12.2%). Në 16 nga 27 vendet e BE-së, norma AROPE ishte më e lartë për personat që jetonin në familje me fëmijë në varësi sesa për ata që jetonin në familje pa fëmijë në varësi.

Scroll to Top