“`html
Guvernatori Sejko: Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit
Guvernatori Gent Sejko ka deklaruar se Banka e Shqipërisë do të ruajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e mbajtur atë në nivelin 2.5%. Këto komente u bënë gjatë një konference për shtyp, e cila u fokusua në vendimmarrjen e politikës monetare të institucionit.
Sejko theksoi gjithashtu se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, e shkaktuar nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, do të ketë ndikim edhe në rritjen e inflacionit në Shqipëri. Ai shtoi se kjo situatë do të sjellë gjithashtu një ngadalësim të rritjes ekonomike në vend.
Sipas Sejkos, zgjatja e kësaj situate do të varet nga vazhdimi i luftimeve në Lindjen e Mesme. “Fokusi i këtij raporti ishte ndikimi që do të ketë ekonomia jonë nga çmimet. Rritja e çmimit të naftës në tregjet e huaja, do të sjellë një rritje të inflacionit mbi objektiv dhe një ngadalësim të rritjes ekonomike. Ky parashikim bazohet në pritjet për përfundim të shpejtë të luftës. Pasiguria mbetet e lartë, dhe balanca e rreziqeve është rritur, por Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar politikën monetare. Këshilli Mbikqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5 %”, tha mes të tjerash Sejko.
“`