Berisha-Braçes: Mirë që Belinda të hoqi nga Fieri
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është kundërpërgjigjur Erion Braçes, duke e cilësuar atë si mashtruesin më të madh për fermerët. Berisha deklaroi se Braçe, nëse nuk do të ishte hipokrit, do të duhet të kishte hyrë në grevë për këtë çështje, ndërsa shtoi se nga Fieri e largoi Belinda Balluku.
“Në këtë parlament kam denoncuar në mënyrën më të përsëritur taksën më të lartë në botë mbi litrin e naftës. Taksën më të lartë në planet mbi litrin e naftës. Bëj një verifikim, gjej një vend tjetër ku të ketë taksën e Shqipërisë. Së pari. Së dyti, pasi të normalizohet taksa, jam 100% dakord të nxirret çdo përgjegjësi e tregtarëve. Por në qoftë se ti vendos një taksë ku marzhi i fitimit të atij që tregton naftën është më i ulët se ai në Maqedoni… Jo, jo, nuk po bëj avokatinë. Unë po them të vërtetën. Shiko. Gjatë qeverisjes sime ka pasur 32 licenca nafte. 32 licenca nafte! Por nuk ka pasur 400.000 tonë kontrabandë qeveritare nafte. Gjatë asaj periudhe ka pasur 400.000 automjete dhe janë zhdoganuar 650.000-720.000 tonë naftë. Dhe prodhoheshin në vend 200.000 tonë naftë në Ballsh. Po, po. Kurse sot 400.000 tonë vijnë nga Libia. Po kush i merr ato? Po ku ka privat që mund t’i marrë ato? Ato i marrin vetëm qeveritarët. Ato vijnë me sasira të mëdha. Ato shkarkohen për qeveritarët. Pra, ky është problemi i naftës. Por, nuk ka diskutim se nëse vendos taksën më të lartë në botë, je mëkatari më i madh ndaj qytetarëve të tu, ndaj fermerëve të tu. Dhe unë prisja që ti sot, po të mos ishe hipokrit siç je, të filloje grevën e urisë këtu për çmimin e naftës për fermerët. Po të hoqi Lubia nga Fieri, dhe tani nuk pyet më për ta fare. Mirë ta bëri!”, tha ai.
