Helmimi studentësh në Polic, administratori flet për drekën

Helmimi i studentëve të Policisë, administratori: Shqetësime pasi konsumuan drekën

Administatori i Akademisë së Policisë, Milton Nushi, ka reaguar përpara mediave lidhur me rastin e helmimit të 56 studentëve. Ai ka deklaruar se shqetësimet shëndetësore të studentëve kanë filluar pas konsumimit të vaktit të drekës, duke dhënë detaje mbi ngjarjen.

“Studentët kanë pasur shqetësime pas konsumimit të drekës. Ata u dërguan fillimisht në infermerinë e akademisë dhe më pas në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Të gjithë studentët janë kthyer tashmë në akademi dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Dyshohet se shkak është ushqimi i konsumuar. Ka një menu ditore për çdo vakt. Ushqimi është i standardeve shumë të mira. Mund të ketë pasur ankesa për larmishmërinë, por cilësia e ushqimit është jashtëzakonisht e mirë,” tha Nushi.

Ai shtoi se ky është rasti i parë i këtij lloji që nga viti 2016, ndërsa theksoi se kontrata me kompaninë furnizuese është e re, por kanë pasur edhe kontrata të mëparshme.

“Ne nuk kemi pasur asnjë problem me ushqimin deri më sot. Kemi njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe Shëndetin Publik, të cilët kanë marrë mostrat. Ushqimi vjen me katering nga një kompani e licencuar. Ne ruajmë mostrat e ushqimit për 24 orë, bashkë me një komision dhe mjekun, për raste si ky. Po presim rezultatet e analizave. Kemi thirrur sërish Shëndetin Publik për të marrë analizat e studentëve dhe për të vlerësuar ecurinë e tyre, pasi gjendja e tyre ka qenë e lehtë,” shtoi administratori.

Nushi konfirmoi se puna në akademi dhe furnizimi me ushqim vazhdojnë normalisht. Ai sqaroi se ushqimi gatuhet jashtë ambienteve të akademisë, në lokacionin ku kompania ka licencën. Studentët marrin tre vakte në ditë: mëngjes, drekë dhe darkë.

Scroll to Top