Protesta e opozitës para Kryeministrisë, ja rrugët ku do të bllokohet lëvizja
Policia e Tiranës ka marrë masa për protestën e opozitës që do të mbahet sot para Kryeministrisë. Si pasojë, do të kufizohet lëvizja në disa akse dhe segmente rrugore.
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për organizimin e një tubimi më datë 08.05.2026, në orën 19:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.
Në zbatim të ligjit “Për tubimet” dhe për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit, Policia e Tiranës ka marrë masat e duhura.
Kufizimet e lëvizjes do të jenë si më poshtë:
- Nga ora 23:45 e datës 07.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
- Nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës i bën apel organizatorëve të tubimit të respektojnë afatin kohor dhe vendin e përcaktuar për zhvillimin e tij. Gjithashtu, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këto kufizime dhe i këshillon ata të distancohen nga veprimet e kundërligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.
