Tranzicioni i gjelbër: 5 kompani shqiptare do të përfitojnë fonde nga BE përmes masave mbështetëse direkte
Të paktën pesë kompani shqiptare do të marrin mbështetje financiare direkte si pjesë e një thirrjeje të hapur të iniciuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Kjo iniciativë bën pjesë në një program europian më të gjerë, i cili synon të transformojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe startup-et në Ballkan, duke i orientuar drejt inovacionit të gjelbër dhe praktikave të qëndrueshme.
Projekti GREENSMES, i bashkëfinancuar nga programi IPA ADRION, disponon një buxhet total prej 1.57 milionë euro, ku 1.33 milionë euro vijnë nga fondet Interreg.
FSHZH ka shpallur së fundmi një thirrje për aplikime për voucher-a, duke u dhënë kompanive të interesuara afat deri më 5 qershor për të shprehur gatishmërinë e tyre.
Qëllimi kryesor i projektit është të rrisë konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare në tregun global. Kjo do të arrihet përmes prezantimit dhe implementimit të praktikave, teknologjive dhe produkteve që kanë për objektiv reduktimin e ndikimit mjedisor dhe përmirësimin e efikasitetit operativ.
GREENSMES fokusohet në sektorët ku SME-të dhe startup-et mund të aplikojnë masa të gjelbra për të arritur modernizimin dhe një tranzicion drejt qëndrueshmërisë.
Sipas njoftimit, projekti ofron mbështetje direkte për pesë kompani për zbatimin e të ashtuquajturave “masa të buta” (soft measures). Këto masa përfshijnë:
- Optimizimin e proceseve prodhuese.
- Përdorimin e energjisë së rinovueshme.
- Reduktimin e emetimeve ndotëse.
- Menaxhimin efikas të mbeturinave.
Përveç fondeve, voucher-at do të ofrojnë edhe akses në ekspertizë ndërkombëtare dhe mentorim nga specialistë të fushës.
Projekti gjithashtu mundëson zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja me një ndikim më të ulët mbi mjedisin, duke i bërë kompanitë më konkurruese në tregun ndërkombëtar.
Ai mbështet aplikimin e teknologjive në prodhim që sjellin:
- Reduktimin e konsumit të energjisë dhe burimeve të tjera.
- Përdorimin më të gjerë të energjisë së rinovueshme.
- Uljen e emetimeve të gazeve të dëmshme.
- Menaxhim efektiv të mbeturinave dhe aktivitete të tjera të ngjashme.
“Megjithëse rëndësia e inovacionit të gjelbër po rritet, përpjekjet për të promovuar ekonominë e gjelbër në rajonin tonë mbeten të fragmentuara dhe të kufizuara. Shumë SME nuk janë ende plotësisht të informuara rreth politikave, stimujve dhe mundësive ekzistuese. Projekti GREENSMES synon të adresojë këtë boshllëk duke mbështetur modernizimin dhe tranzicionin e gjelbër të SME-ve, duke nxitur procese prodhimi më të pastra, produkte dhe shërbime të qëndrueshme, si dhe duke rritur efikasitetin dhe konkurrueshmërinë,” thuhet në dokumentet zyrtare të shpalljes.
Nisma zbatohet nga partnerë nga Italia, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Thirrja e hapur, në kuadër të këtij projekti, i drejtohet mikro, të voglave dhe të mesmeve në Shqipëri, duke i ftuar ato të angazhohen në aktivitete që promovojnë inovacionin e gjelbër dhe tranzicionin drejt praktikave më të qëndrueshme të biznesit.
