Irfan Azizi, i njohur si “Fania i Beratit” dhe ish-ushtari i Talo Çelës, është arrestuar në Angli.
I kërkuari nga drejtësia shqiptare, Irfan Azizi, ndodhet në proces ekstradimi dhe është arrestuar në Angli pasi ka thyer kushtet e lirimit me provë.
Sipas një dokumenti të Gjykatës së Ekstradimeve Westminster Magistrate Court, të parë nga gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, më 26 prill 2026, në zonën Somerset, Irfan Azizi është arrestuar nga një oficer policie. Ky arrestim u bë pasi u konstatua se ai kishte shkelur lirinë me kusht, duke mos u paraqitur për të firmosur në stacionin e policisë në Taunton çdo të martë dhe të enjte.
Disa javë më parë, siç raportonte “Daily Mail Online”, personazhi i njohur i botës së krimit në Berat, i njohur si “Fania”, kishte tentuar të bllokojë ekstradimin nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë. Ai pretendonte se jeta e tij ishte në rrezik nga një atentat i mundshëm i dytë, i organizuar nga Talo Çela.
Irfan Azizi u paraqit në gjykatë dhe kundërshtoi ekstradimin, duke deklaruar se nëse kthehet në Shqipëri do të vritet. Ai tregoi se në vitin 2020 i shpëtoi për pak një atentati ku u qëllua rreth 30 herë me armë automatike. “Një plumb më shkatërroi dorën në 13 vende,” deklaroi ai para gjykatës britanike.
Azizi ngriti pretendimin se grupi kriminal që organizoi sulmin ka lidhje të forta dhe është i aftë të kryejë vrasje edhe për figura të larta. Ai shtoi se nuk ka marrë asnjë paralajmërim, sepse “ata nuk paralajmërojnë, por veprojnë”.
Autoritetet shqiptare e kërkojnë për të vuajtur një dënim me një vit burg, ndërkohë që gjatë kohës që ishte në paraburgim u zbulua se përdorte një telefon celular.
Gjatë seancës, ai bëri edhe deklarata të forta, duke pranuar se kishte paguar për të mbyllur çështje gjyqësore në Shqipëri. Ai këmbënguli se nuk dëshiron të kthehet për shkak të rrezikut për jetën e tij dhe familjes.
Nga ana tjetër, prokuroria britanike vuri në dyshim pretendimet e tij, duke theksuar se gjatë pesë viteve në Angli nuk ka pasur asnjë kërcënim konkret ndaj tij apo familjes.
