Ish-presidenti bolivian Evo Morales është thirrur në gjyq për trafikim të dyshuar të një të miture.
Një gjykatë në Bolivi ka caktuar seancën e parë të gjyqit ndaj ish-presidentit Evo Morales, i cili akuzohet për trafikim të dyshuar të një të miture. Megjithatë, procesi rrezikon të shtyhet pasi avokatët e tij pretendojnë se nuk janë njoftuar zyrtarisht.
Prokuroria pretendon se Morales, i cili drejtoi vendin nga viti 2006 deri në 2019, ka pasur një lidhje me një vajzë 15-vjeçare në vitin 2015, kur ai ishte ende president. Nga kjo marrëdhënie, sipas aktakuzës, ka lindur edhe një fëmijë. Hetuesit dyshojnë se prindërit e adoleshentes kanë dhënë pëlqimin e tyre në këmbim të favoreve dhe privilegjeve politike.
Gjyqtari Luis Ortiz Flores deklaroi në një konferencë për shtyp se fillimi i gjyqit kundër ish-presidentit Evo Morales është konfirmuar për të hënën dhe pritet prania e tij në rajonin Tarija, ku do të zhvillohet procesi.
Megjithatë, avokati i Moralesit, Wilfredo Chavez, ka deklaruar se as klienti i tij, as mbrojtja nuk do të paraqiten. Ai shpjegoi se ata nuk mund të paraqiten pasi nuk janë njoftuar zyrtarisht. Chavez shtoi se gjykata nuk e ka dërguar thirrjen në rezidencën e ish-presidentit, por vetëm e ka publikuar atë në media.
Morales, 66 vjeç, ish-presidenti i parë indigjen në historinë e Bolivisë, po qëndron i fshehur që nga viti 2024 në rajonin Chapare. Ky rajon, i njohur si bastioni i tij politik dhe zonë prodhimi kokë, shërben si vendstrehimi për t’i shmangur arrestimin pas një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tij. Sipas mediave lokale, mijëra mbështetës indigjenë kanë krijuar një lloj mbrojtjeje rreth tij për të penguar ndërhyrjen e policisë.
Në janar 2025, pas mungesës së tij në një seancë dëgjimore, gjykata e akuzoi Moralesin për mosbindje, duke pezulluar përkohësisht procedurat deri në paraqitjen ose arrestimin e tij. Gjyqtari Ortiz Flores theksoi se në Bolivi vetëm çështjet për korrupsion mund të zhvillohen në mungesë të të akuzuarit. Prandaj, mbetet në dorën e gjykatës të vendosë nëse procesi ndaj Moralesit mund të vazhdojë pa praninë e tij.
Mbrojtja e ish-presidentit argumenton se prania e tij është e domosdoshme sipas Konventës Ndëramerikane për të Drejtat e Njeriut, për t’i garantuar atij të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur mbrojtjen para gjykatës.
