“`html
Dy muaj pas tragjedisë, Lezha ndez qirinj për Xhuanën. Familjarët: Duam drejtësi.
Dy muaj pas vdekjes tragjike të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, familjarë, të afërm dhe dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur sërish mesditën e kësaj të diele pranë Obeliskut në qytet, për të ndezur qirinj në kujtim të saj dhe për të kërkuar drejtësi.
Mes dhimbjes, lotëve dhe emocioneve të forta, familjarët shprehën se prej dy muajsh jetojnë me plagën e rëndë të humbjes së Xhuanës. Ata theksuan se ankthi dhe zhgënjimi i tyre shtohet nga moszbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ata kërkuan edhe një herë që drejtësia të vihet në vend dhe e vërteta të dalë sa më shpejt në dritë, duke apeluar për përgjegjësi institucionale dhe transparencë të plotë mbi rrethanat e rastit.
Të pranishmit mbajtën një minutë heshtje në nder të 25-vjeçares, ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotos së saj, në një atmosferë të mbushur me dhimbje dhe thirrje për drejtësi.
Xhuana Nikollaj humbi jetën pas dhunës së ushtruar ndaj saj, ku si autor dyshohet ish-bashkëshorti Eraldo Fizi, i cili më pas dyshohet se ka konsumuar fostoksinë. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe vijon të mbetet e mbushur me pikëpyetje për familjarët, të cilët kërkojnë zbardhjen e plotë të së vërtetës.
“`
