Michael Pennington ndërron jetë në moshën 82-vjeçare

Ndërron jetë në moshën 82-vjeçare aktori britanik Michael Pennington

Aktori britanik Michael Pennington, i njohur për rolin e tij në filmin legjendar “Return of the Jedi”, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.

Pennington interpretoi personazhin e Moff Jerjerrod, zyrtarin ushtarak që mbikëqyrte ndërtimin e “Yllit të dytë të Vdekjes” në sagën e famshme “Star Wars”, krijuar nga George Lucas.

Përveç suksesit në kinematografinë fantastiko-shkencore, ai ishte një nga interpretuesit më të vlerësuar të veprave të William Shakespeare.

Pennington iu bashkua Royal Shakespeare Company menjëherë pas diplomimit në Trinity College Cambridge në vitin 1964. Karriera e tij teatrore kulmoi me interpretimin e Hamletit në vitin 1980, rol për të cilin mori vlerësime të shumta nga kritika. Drejtori i njohur i teatrit, John Barton, e kishte cilësuar Pennington “një aktor të jashtëzakonshëm”.

Aktori britanik pati gjithashtu role të rëndësishme në televizion dhe kinema. Në vitin 2011 ai interpretoi ish-liderin laburist Michael Foot në filmin biografik “The Iron Lady”, ku luajti përkrah aktores Meryl Streep. Ndër rolet e tjera të njohura ishte edhe interpretimi i Laertit në adaptimin filmik të “Hamlet” nga Tony Richardson, si dhe pjesëmarrja në produksione televizive si “The Return of Sherlock Holmes”.

Pennington ishte edhe shkrimtar, duke botuar libra mbi veprat e Shakespeare-it dhe udhëtime, përfshirë “Rossya: Një udhëtim nëpër Siberi”.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta në botën e artit. Aktorja Miriam Margolyes, e njohur edhe për rolin në “Harry Potter”, i bëri homazh në rrjetet sociale.

“Michael Pennington ka vdekur. Një mik i vjetër nga Kembrixhi, një aktor brilant dhe i mençur. Jam thellësisht e trishtuar”, shkroi ajo.

Scroll to Top