Nafta rritet pas refuzimit të planit të Iranit nga SHBA

SHBA refuzoi planin e Iranit për armëpushim, duke shkaktuar një rritje të re në çmimet e naftës.

Çmimet e naftës regjistruan sërish një rritje në tregjet aziatike të hënën, pas përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ky zhvillim vjen pas refuzimit kategorik të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj përgjigjes së Teherit për një propozim paqeje nga Uashingtoni.

Nafta e llojit Brent u rrit me 4.30%, duke arritur në 105.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI shënoi një rritje prej 4.72%, duke u shitur për 99.92 dollarë për fuçi.

Sipas raportimeve, lëvizja e tregjeve u nxit nga një postim i Trump në rrjetet sociale të dielën në mbrëmje, ku ai e cilësoi përgjigjen iraniane si “krejtësisht të papranueshme”.

Presidenti amerikan nuk bëri të ditura detaje të plota të propozimit të Teheranit, por paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje të menjëhershme, situata mund të çojë në një tjetër përshkallëzim ushtarak.

Raportohet se Irani kishte propozuar ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në të gjitha frontet, heqjen e sanksioneve amerikane ndaj eksporteve iraniane dhe njohjen e rolit të Teheranit në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, aleatët rajonalë të SHBA-së kundërshtuan fuqishëm çdo mundësi që Irani të kontrollojë këtë kalim strategjik detar ose të vendosë tarifa për kalimin e anijeve.

Vetëm pak orë para refuzimit të propozimit, Trump kishte akuzuar publikisht Teheranin se “po luan lojëra” dhe po përpiqet të zvarrisë negociatat, duke lënë të kuptohet se durimi i Uashingtonit ndaj bisedimeve po shteron.

Scroll to Top