Tregtarët e Vlorës protestojnë para bashkisë, kërkojnë lirimin e hapësirave ku shesin
Tregtarët e tregut të madh të qytetit, të specializuar në fruta-perime dhe konfeksione, janë ngritur në protestë para Bashkisë së Vlorës. Ata shprehin pakënaqësinë e tyre kundër mbylljes së tregut aktual, i cili do të rehabilitohet si pjesë e një projekti për zhvillimin e zonës qendrore të qytetit, pranë Sahatit.
Tregtarët theksojnë se nuk janë kundër rehabilitimit të tregut, por shprehen të shqetësuar për mungesën e një zgjidhjeje konkrete për aktivitetin e tyre. Ata janë dakord me procesin e rehabilitimit, por kërkojnë të caktohet një vend i përshtatshëm ku të mund të vazhdojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Njëri prej tregtarëve shprehet: “Po protestojmë për bukën e gojës së fëmijëve tanë. Kemi fëmijë në shkolla dhe duhet t’i paguajmë. Dyqanet tona janë me qira dhe na thanë se do na lejonin të qëndronim në to, por tashmë nuk na lënë të tregtojmë mallin tonë. Kemi mall me vlerë miliona dhe nuk dimë çfarë të bëjmë. Duam të punojmë, por nuk na gjejnë vend dhe na hedhin në rrugë.”
Një tjetër tregtar shton: “Janë 350 tregtarë që mbeten pa të ardhura. Kërkojmë një zgjidhje, të na krijohet një treg i ri. Na kanë lënë në rrugë, duke na lënë me miliona lekë mall. Jemi dakord që qyteti të zhvillohet, por na duhet një vend tjetër ku të shesim mallin, pasi me të ushqejmë familjet tona.”
Tregtarët ankohen se u janë propozuar vende shumë të largëta, ku nuk ka asnjë potencial klienti. Ata deklarojnë se do të vazhdojnë protestën pasi kanë blerë mall dhe u ka mbetur stok. Për të zgjidhur këtë situatë, kërkojnë një takim me kryebashkiaken Brunilda Mersini.
Tregtarët paralajmërojnë se në mungesë të një takimi, do të ndërmarrin veprime duke bllokuar rrugën.