Aksident Tragjik Treni-Autobus në Belgjikë: Vdesin 4, përfshirë 2 Fëmijë

Tragjedi në Belgjikë: Treni përplaset me autobusin e shkollës, katër të vdekur

Katër persona, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën të martën në veri të Belgjikës, pasi një trenu i përplasi një autobus shkolle. Këtë informacion e konfirmoi zëvendëskryeministri i vendit, Maxime Prevot.

“Një përplasje tragjike mes një treni dhe një autobusi shkolle ndodhi këtë mëngjes në Bugenhout. Katër persona kanë humbur jetën, përfshirë dy fëmijë”, shkroi Prevot në rrjetin social X.

Kryeministri Bart De Wever u shpreh se është “thellësisht i prekur nga aksidenti i tmerrshëm” dhe se “në këto çaste bashkëndiejmë me familjet e prekura”.

Pamjet nga vendngjarja, në rajonin e Flandrës, tregojnë autobusin e rrotulluar dhe dëmtuar në afërsi të vijës hekurudhore, ndërsa treni i udhëtarëve mbeti i ndalur mbi binarë.

Zëdhënësja e Policisë, An Berger, tha për mediat belge se në autobus ndodheshin shtatë fëmijë, një mbikëqyrës dhe shoferi. Ajo shtoi se askush në tren nuk ishte lënduar.

Frederic Sacre, zëdhënës i agjencisë hekurudhore belge, Infrabel, përshkroi përplasjen si “jashtëzakonisht të dhunshme”. Ai tha se treni po udhëtonte me rreth 120 kilometra në orë kur ndodhi aksidenti dhe se “autobusi u hodh rreth 15 metra drejt një shtylle metalike”. Sacre shtoi se nga pamjet e vendit të ngjarjes rezulton se barrierat në kalimin hekurudhor kishin qenë të mbyllura dhe semafori i kuq ishte ndezur në momentin e aksidentit.

Mediat belge raportuan se nxënësit ishin nga një shkollë për fëmijë me vështirësi në të nxënë.

Ministri i Brendshëm, Bernard Quintin, shprehu trishtimin e tij të thellë për “aksidentin tragjik”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, iu bashkua reagimeve ngushëlluese, duke u shprehur se ka mbetur “me zemër të thyer” nga përplasja. “Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjet e viktimave dhe të dashurit e tyre”, shkroi ajo në internet. “Sot, Evropa vajton me Belgjikën”.

Scroll to Top