Arsenali kampione me rekorde! Arteta: Sezon magjik

Arsenali kampioni me rekorde në Premier Ligë, Arteta: Sezon magjik

Arsenali e ka mbyllur sezonin 2025/26 të Premier Ligës me një fitore 2-1 kundër Crystal Palace të dielën. Përveç titullit kampion, “Topçinjtë” kanë vendosur edhe një rekord të veçantë në elitën e futbollit anglez, duke arritur diçka që asnjë skuadër tjetër nuk e kishte bërë më parë.

Sipas statistikave të sezonit, kampioni i ri i Anglisë nuk ka pranuar asnjë penallti gjatë gjithë edicionit 2025/26. Gjithashtu, skuadra nuk ka marrë asnjë karton të kuq. Kjo i bën londinezët skuadrën e parë në historinë e kampionatit anglez që e përfundon sezonin pa pësuar penallti dhe pa pasur asnjë lojtar të përjashtuar. Kjo është një arritje tejet e rrallë.

Në fund, Arsenali e ka mbyllur kampionatin me 85 pikë, shtatë më shumë se Manchester City. Nën drejtimin e trajnerit Mikel Arteta, Arsenali ka treguar disiplinë të jashtëzakonshme taktike dhe kontroll të fortë në çdo ndeshje gjatë gjithë sezonit. Kjo arritje është cilësuar si një “masterclass” i vërtetë në menaxhim dhe organizim, duke vendosur klubin londinez në një faqe të veçantë të historisë së futbollit.

Arsenali, të shtunën e ardhshme, do të tentojë të fitojë edhe trofeun e dytë, duke u përballur me PSG-në në finalen e Ligës së Kampioneve. Trajneri Mikel Arteta, njeriu që nuk u dorëzua asnjëherë pavarësisht zhgënjimeve të sezoneve të fundit, ka rikthyer buzëqeshjen te tifozët e skuadrës së tij.

“Është shumë e vështirë ta përshkruash me fjalë, por është moment i jashtëzakonshëm. Shumë emocione, shumë gëzim dhe krenari. Mendoj se mënyra se si u arrit kjo tregon atë që këta djem po ndiejnë dhe arsyen pse ndodhi kjo magji!”, u shpreh Arteta pasi mori trofeun të dielën.

Ai tani beson në aftësinë e lojtarëve të tij për të fituar Ligën e Kampioneve duke mposhtur Paris SG në finalen e Budapestit. Pas festimeve të titullit, ai u tha për “Sky Sports”: “Kjo fanelë përfaqëson diçka tjetër. Tani kemi mundësinë të krijojmë histori të re në klubin tonë. Jam i bindur se do ta bëjmë.”

Vlen të përmendet se Arsenali mbetet i pamposhtur në Ligën e Kampioneve këtë sezon dhe ka mundësinë ta fitojë trofeun për herë të parë, duke mposhtur kampionët në fuqi të Europës, Paris SG.

Scroll to Top