Tronditëse në Francë: Adoleshenti vret vëllain dhe plagos rëndë nënën, pastaj vetëdorëzohet në polici
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Francën, ku një adoleshent 16-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për vrasjen e vëllait të tij 13-vjeçar dhe plagosjen e rëndë të nënës së tyre. Mediat franceze raportojnë se hetuesit po verifikojnë dyshimet se 16-vjeçari mund t’i ketë prerë fytin të vëllait të mitur, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa më pas ka sulmuar edhe nënën në banesën familjare.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës mes datës 25 dhe 26 majit. Pas aktit të dyshuar, adoleshenti, për të cilin raportohet se ka pasur më parë probleme me shëndetin mendor, është vetëdorëzuar në polici.
Forcat e policisë, të mbërritura në vendngjarje, kanë gjetur nënën dhe djalin 13-vjeçar në dhomën e gjumit. Fatkeqësisht, i mituri nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve, ndërsa nëna është transportuar në spital në gjendje të rëndë, me dëmtime serioze në kokë.
Sipas burimeve policore, në banesë janë gjetur edhe një thikë dhe një çekiç, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit.
