Tensionet Iran-SHBA: Kërcënime të reja, Khamenei paralajmëron

Tensionet rriten pas deklaratave të Teheranit: Irani kërcënon SHBA-në, Khamenei paralajmëron se nuk do ketë më strehë të sigurt në rajon

Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka deklaruar se vendet e Gjirit nuk do të shërbejnë më si “mburojë” për bazat ushtarake amerikane dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kenë më një “strehë të sigurt” në rajon.

Komentet e tij u publikuan të martën në kanalin e tij në Telegram, ndërkohë që Teherani dhe Uashingtoni vijojnë diskutimet për një kornizë që synon t’i japë fund konfliktit tremujor mes dy vendeve.

“Koha nuk kthehet pas dhe kombet e rajonit nuk do të shërbejnë më si mburojë për bazat amerikane. Amerika nuk do të ketë më një strehë të sigurt për të përhapur të keqen apo për të ngritur baza ushtarake në rajon,” thuhet në deklaratën e Khameneit.

Mojtaba Khamenei mori pushtetin në mars, pasi babai i tij, Ali Khamenei, humbi jetën gjatë sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite. Deri më tani, udhëheqësi i ri suprem nuk është shfaqur publikisht.

Ndërkohë, ushtria iraniane ka paralajmëruar se çdo ofensivë e re kundër Iranit do të përballet me një reagim “shumë më të ashpër”. Zëdhënësi i lartë ushtarak iranian, Abolfazl Shekarchi, deklaroi se çdo sulm i ri do të marrë një përgjigje më të rëndë dhe më të dhunshme se më parë.

Në komentet e transmetuara nga agjencia iraniane “Fars”, Shekarchi shtoi se në rast të një raundi të ri lufte, sulmet iraniane do të shtrihen përtej kufijve të rajonit.

Edhe deputeti iranian Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme në parlament, deklaroi se diplomatët iranianë duhet të negociojnë me SHBA-në “nga pozicioni i një fuqie fitimtare”.

“Fituesi përfundimtar i luftës ishte dhe mbetet kombi i guximshëm iranian. Tërheqja përballë armikut vetëm sa e bën atë më agresiv dhe përkeqëson problemet tona. Ju lutem mos i zbutni vijat e kuqe,” shkroi Rezaei në platformën X.

Scroll to Top