Paqe Fiskale: Aplikime dhe Rideklarime Deri më 5 Qershor

Tatimet publikojnë formularët për aplikimin e Paqes Fiskale dhe rideklarimin e pasqyrave

Nga data 15 Maj kanë nisur aplikimet për lidhjen e marrëveshjes së Paqes Fiskale dhe rideklarimin e pasqyrave financiare. Periudha e aplikimit mbyllet më 5 Qershor 2026.

Të gjithë tatimpaguesit që përmbushin kushtet, si për të ardhurat bruto mbi 14 milionë lekë në vit, mos pasjen e detyrimeve të papaguara apo mos qenien në procedime penale, aplikimet do t’i bëjnë online në e-Filing, ku është krijuar shërbimi “Aplikim për marrëveshjen e paqes fiskale”. Për të dyja rastet, si për lidhjen e paqes fiskale dhe rideklarimin e pasqyrave, tatimpaguesit duhet të plotësojnë online formularin. Modeli i formularëve është publikuar nga Tatimet.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar se, përveç formularit, bizneset do të ngarkojnë online edhe dokumentacionin vijues:

  • Vërtetim për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që nuk janë në proces procedimi penal për vepra penale në fushën tatimore (nga Prokuroria).
  • Dëshmi penaliteti për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që vërteton se nuk ka vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor ose pastrim parash.
  • Vërtetim që nuk është në proces ankimi administrativ (nga Drejtoria e Apelimit Tatimor).
  • Vetëdeklarim që nuk realizon projekte koncesionare.
  • Vetëdeklarim se nuk ka dijeni për procedime penale në fushën tatimore.

Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit e regjistruar si person fizik ose entitet se aplikimi për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026 mund të kryhet online në sistemin “e-filing”, nga data 15.05.2026 deri më 05.06.2026.

Të drejtën për të aplikuar e ka çdo tatimpagues që është subjekt i detyrimit të Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi dhe që plotëson njëkohësisht kushtet e mëposhtme:

  • Ushtron veprimtari ekonomike në Republikën e Shqipërisë.
  • Gjatë vitit tatimor paraardhës ka realizuar të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë.
  • Nuk ka detyrime tatimore të papaguara ose të padeklaruara.
  • Nuk është në proces ankimi administrativ.
  • Nuk është subjekt i procedimeve penale për vepra në fushën tatimore.
  • Nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim të produkteve të veprës penale ose fshehje të ardhurash.
  • Nuk është subjekt hetimi nga Administrata Tatimore.
  • Nuk realizon projekte koncesionare.

Tatimpaguesit që plotësojnë kushtet e mësipërme paraqesin kërkesën online në sistemin “e-filing”, në rubrikën “Çështjet e mia” – “Pyetje e përgjithshme”, duke vendosur titullin “Aplikim për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” dhe duke ngarkuar dokumentacionin e mëposhtëm:

  • Formularin e aplikimit të plotësuar (shtojca nr. 1).
  • Vërtetim për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që nuk janë në proces procedimi penal për vepra penale në fushën tatimore (nga Prokuroria).
  • Dëshmi penaliteti për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që vërteton se nuk ka vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor ose pastrim parash.
  • Vërtetim që nuk është në proces ankimi administrativ (nga Drejtoria e Apelimit Tatimor).
  • Vetëdeklarim që nuk realizon projekte koncesionare.
  • Vetëdeklarim se nuk ka dijeni për procedime penale në fushën tatimore.

Pas verifikimit të kushteve ligjore, sipas Ligjit nr. 84/2025 “Për marrëveshjen e paqes fiskale” dhe udhëzimit përkatës në zbatim të tij, vendimmarrja mbi aplikimin do t’i komunikohet tatimpaguesit në mënyrë elektronike në llogarinë e tij në sistemin “e-filing”, brenda 5 ditëve kalendarike, por jo më vonë se data 10.06.2026.

Brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimmarrjes, por jo më vonë se data 15.06.2026, dokumenti i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i tatimpaguesit duhet të dorëzohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, zyrtarisht ose përmes sistemit “e-filing”.

Tatimpaguesit që, në formularin e aplikimit, kanë deklaruar se do të kryejnë rideklarim të pasqyrave financiare për një ose disa vite tatimore, pas lidhjes së marrëveshjes dhe kryerjes së rideklarimeve/korrigjimeve përkatëse, duhet që brenda datës 30.06.2026:

  • Të kryejnë pagesën e tatimit për çdo vit tatimor për të cilin është ndryshuar deklarata tatimore.
  • Të dorëzojnë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të juridiksionit formularin e aplikimit për rideklarimin e elementeve të veçanta të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare vjetore, sipas shtojcës nr. 2 të udhëzimit përkatës.
  • Të dorëzojnë pasqyrat financiare të rideklaruara.
  • Të paraqesin çdo sqarim të nevojshëm mbi ndryshimet e reflektuara në zërat e pasqyrave financiare.

Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kushtet ligjore dhe janë të interesuar të përfitojnë nga kjo marrëveshje, të aplikojnë brenda afatit 05.06.2026, pasi aplikimet e paraqitura pas këtij afati nuk do të pranohen.

Scroll to Top