Sektori bankar ul përqendrimin në segmentin e biznesit në vitin 2025
Megjithëse kredia për biznesin përbën pjesën më të madhe të portofolit të kredisë së sektorit bankar, pesha e këtij segmenti ka pësuar një rënie të mëtejshme gjatë vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Shoqatës Shqiptare të Bankave, në fund të vitit 2025, kredia për biznesin zinte 61.5% të portofolit të kredisë së sektorit bankar, krahasuar me rreth 63.3% në fund të vitit 2024.
Kjo rënie e peshës së segmentit të biznesit është kryesisht rezultat i rritjes më të shpejtë të kredisë në segmentin retail gjatë viteve të fundit, veçanërisht të kredisë për individët dhe familjet. Kredia për blerjen e banesave dhe kredia konsumatore janë rritur me ritme të larta, duke sjellë një rritje të peshës specifike të portofolit të individëve.
Megjithatë, bizneset vijojnë të gjenerojnë volumin më të madh të kreditimit në sektorin bankar shqiptar. Në mungesë të zhvillimit të bursës dhe instrumenteve financiare më të sofistikuara, bizneset në Shqipëri kanë përdorur historikisht kredinë bankare si alternativën kryesore të financimit.
Ndarja e tregut të kredisë për biznesin sipas vlerës:
- Credins Bank kryeson me 22% të totalit, duke qenë njëkohësisht edhe banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare në total.
- Raiffeisen Bank Albania vijon me 14%.
- Banka OTP Albania me 13%.
- Tirana Bank me 11%.
- Banka Amerikane e Investimeve me 9%.
- Intesa Sanpaolo Bank Albania me 7%.
- ProCredit Bank me 5%.
- Union Bank me 4%.
- Banka e Parë e Investimeve Shqipëri me 3%.
- Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) me 2%.
Pesha e biznesit ndaj vlerës totale të portofolit të kredisë tregon diferenca të konsiderueshme mes bankave, duke variuar nga 40% deri në 80% të portofolit.
Bankat me peshën më të lartë të kredisë për biznesin në portofolin e tyre:
- ProCredit Bank Shqipëri: mbi 77% e tepricës së kredisë.
- Credins Bank: 76.5% e totalit.
- Banka Amerikane e Investimeve: 74%.
- Banka e Bashkuar e Shqipërisë: 68%.
- Tirana Bank: afërsisht 67%.
Për bankat e tjera, pesha e kredisë për biznes është më e ulët se mesatarja e sektorit:
- Intesa Sanpaolo Bank Albania: 61%.
- Banka OTP Albania: afërsisht 59%.
- Raiffeisen Bank Albania: rreth 56%.
- Banka e Parë e Investime Shqipëri (Fibank): 53%.
Bankat për të cilat kredia për biznes përbën më pak se gjysmën e portofolit të kredisë janë:
- Banka Kombëtare Tregtare: 46.5%.
- Union Bank: 44%.
Këto dy banka tregojnë një fokus më të madh në segmentin e kredisë retail.
Sektori bankar shqiptar ka pasur historikisht një shkallë të lartë përqendrimi të kredisë në segmentin e bizneseve. Ky përqendrim ka qenë një nga shkaqet që raporti i kredive me probleme pas krizës së vitit 2008 arriti nivelet më të larta në rajon, me më shumë se 25%, duke u ndikuar më së shumti nga kreditë e këqija të biznesit.
Duke pasur parasysh se vlerat mesatare të kredive për bizneset janë zakonisht më të mëdha se ato të individëve, një peshë e lartë e bizneseve në portofolin e kredisë mund të jetë tregues i një përqendrimi më të lartë rreziku, sidomos kur bëhet fjalë për biznesin e madh.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
