Aeroplan bën ulje të pasuksesshme, pasagjerë në panik

Panik në ajër! Avioni bën dy tentative të dështuara për ulje, pasagjerët shpërthejnë në britma

Momente frike u përjetuan nga pasagjerët e një fluturimi të kompanisë ajrore Avianca në Kolumbi, pasi avioni u detyrua të kryente dy tentative të dështuara uljeje në aeroportin malor Antonio Nariño. Ky aeroport njihet si një nga më sfiduesit për pilotët në vend.

Video të cilat po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë skena tmerri brenda kabinës së avionit, ku pasagjerët shihen duke qarë, duke u lutur dhe duke u kapur fort pas sediljeve. Disa prej tyre raportohet se kanë pësuar sulme paniku, ndenjë të përzieri dhe humbje ndjenjash.

Avioni po tentonte të ulej në qytetin andin Pasto, në jug të Kolumbisë, kur u përball me kushte të vështira atmosferike. Erërat e forta, mjegulla e dendur dhe dukshmëria e kufizuar detyruan pilotët të ndërprisnin dy herë procedurën e uljes për arsye sigurie.

Sipas raportimeve, ekuipazhi u kërkoi pasagjerëve të “merrnin frymë thellë”, ndërsa avioni përballej me turbulenca të forta gjatë afrimit drejt pistës. Pas tentativës së dytë të pasuksesshme, kapiteni vendosi të rikthehej në Bogota, duke zbatuar protokollet standarde të sigurisë ajrore.

Disa orë më vonë, pasi kushtet meteorologjike u përmirësuan, avioni u nis sërish dhe arriti të ulej pa probleme në Pasto rreth orës 14:37 sipas orës lokale. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Aeroporti Antonio Nariño konsiderohet një nga më sfiduesit në Kolumbi për shkak të pozicionit të tij mes maleve të Andeve dhe ndryshimeve të shpejta të motit.

Në reagimin e saj, Avianca theksoi se siguria e pasagjerëve mbetet prioritet absolut dhe se anulimi i uljeve është pjesë e procedurave të zakonshme kur kushtet nuk konsiderohen të sigurta.

Scroll to Top