Islanda voton për anëtarësimin në BE, referendumi më 29 gusht

Islanda drejt BE-së? Parlamenti miraton referendumin për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian

Parlamenti i Islandës miratoi të enjten zhvillimin e një referendumi më 29 gusht mbi çështjen e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky vendim i parlamentit hap rrugën planit të qeverisë islandeze, e cila synon që vendi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në fund të kësaj dekade.

Islanda i kishte ndërprerë përpjekjet për anëtarësim në vitin 2013, pas katër vitesh negociatash me Brukselin, kur në pushtet erdhi një qeveri euroskeptike. Megjithatë, rritja e kostove të jetesës dhe lufta në Ukrainë kanë rikthyer interesin publik për integrimin evropian, sipas sondazheve të fundit të opinionit.

Sipas planit të miratuar, nëse qytetarët votojnë pro vazhdimit të negociatave në referendumin e 29 gushtit, marrëveshja përfundimtare e anëtarësimit do t’i nënshtrohet një referendumi të dytë. Në rast se shumica voton kundër, procesi i rinisjes së negociatave do të ndalet.

Në parlamentin islandez me 63 vende, 34 deputetë votuan pro referendumit, 8 kundër, ndërsa 14 abstenuan dhe 7 munguan.

Ministrja e Jashtme e Islandës, Thorgerdun Katrin Gunnarsdottir, deklaroi më herët për Reuters se Islanda mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian që në vitin 2028. Sipas saj, peshkimi dhe bujqësia pritet të jenë dy nga temat më të ndjeshme gjatë negociatave me Brukselin.

Scroll to Top