Tetë të vdekur nga shpërthimi i rezervuarit në fabrikën e letrës

Tetë të vdekur nga shpërthimi i rezervuarit në fabrikën e letrës në Uashington

Numri i viktimave nga shembja e një rezervuari kimikatesh në një fabrikë letre në shtetin e Uashingtonit, SHBA, ka arritur në tetë, ndërsa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë.

Autoritetet bënë të ditur se gjashtë nga nëntë punëtorët që rezultonin të zhdukur janë gjetur të vdekur. Tre punëtorë të tjerë ende rezultojnë të zhdukur dhe besohet të kenë humbur jetën.

Aksidenti ndodhi të martën në objektin e kompanisë Nippon Dynawave Packaging Co., kur një rezervuar me kapacitet rreth 900,000 gallonësh, i cili përmbante një kimikat të njohur si “lëngu i bardhë”, u shemb pak pas orës 7:15 të mëngjesit, sipas orës lokale.

Trupat e gjashtë punëtorëve të nxjerrë nga rrënojat u gjetën pranë një zone pushimi për stafin, sipas departamentit të zjarrfikësve. Shpëtuesit thanë se shembja ndodhi gjatë një ndërrimi pune, gjë që shpjegon praninë e shumë punëtorëve në zonë.

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur të mërkurën, Guvernatori i Shtetit të Uashingtonit, Bob Ferguson, e cilësoi incidentin si “tragjedinë më vdekjeprurëse industriale në historinë moderne të shtetit të Uashingtonit”.

Përveç viktimave, disa persona u plagosën, përfshirë një zjarrfikës. Të plagosurit u dërguan në spitalet e zonës për trajtim mjekësor, ndërsa disa prej tyre u transferuan në Qendrën e Djegieve në Oregon.

Përpjekjet e rikuperimit u vonuan fillimisht për shkak të shqetësimeve serioze për stabilitetin dhe integritetin strukturor të rezervuarit të dëmtuar. Autoritetet thanë se rezervuari ishte më shumë se gjysma i mbushur kur u shemb dhe inspektimi zbuloi se rreth 25,000 gallonë kimikat kishin mbetur brenda.

Rezervuari u stabilizua më pas, duke u mundësuar ekipeve të shpëtimit dhe rikuperimit të hartojnë një plan për heqjen e tij të sigurt, ndërkohë që vazhdojnë kërkimet në vendngjarje.

Autoritetet njoftuan se trupat e nxjerrë nga vendi i aksidentit po transportohen në Zyrën e Mjekut Ligjor të Qarkut Cowlitz, ku do të kryhen proceset e identifikimit dhe njoftimit të familjeve të viktimave.

Hetimet për shkaqet e sakta të shembjes së rezervuarit janë duke vazhduar.

Scroll to Top